Kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP). Hapja e kanaleve për shtrirjen e tubacioneve ka sot nisur nga Fieri, ndërkohë që gazsjellësi përshkon territorin shqiptar nga Fieri, për të vijuar më pas në Çorovodë (Berat) dhe përfundon në Devoll.
Kryeministri Edi Rama u shpreh në ceremoninë e inaugurimit të punimeve të TAP, se ky gazsjellës sjell në ekonominë shqiptare rreth 1 miliard euro. Kryeministri vlerësoi se ky projekt gjeneron 1700 vende të reja pune me paga deri në 600 euro.
“Ky gazsjellës sjell avantazhe të panumërta që e tejkalojnë misionin e tij bazë. Punimet vazhdojnë prej dy vitesh me një ritëm shumë të kënaqshëm. Mjafton të them disa prej tyre, TAP ka rehabilituar afro 100 km rrugë, në zonat e Korçës, Çorovodës dhe Fierit.
Ka ndërtuar 2 ura të reja, dhe ka rehabilituar 42 ura të tjera. U ka dhënë punë më shumë se 1700 personave, prej të cilëve, 90% janë shqiptarë me një pagë mesatare 600 euro. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, është përditësuar dhe rritur numri i përfituesve nga shpronësimet e truallit ku do të kalojë gazsjellësi.
Mjafton të theksoj që së-bashku kemi plotësuar dokumentacionin për 13 mijë parcela me 17 mijë ha, me 25 mijë përfitues.
Sot TAP hyn në një fazë shumë të rëndësishme të punimeve të tij. Janë 215 km përmes të cilave do të përshkojë Shqipërinë. Në aspektin e atyre avantazheve që ne kemi nga ky operacion, numri i të punësuarve do të rritet në 4200. Dhe vetëm nga procesi i ndërtimit do të gjenerohen në 2017-ë, 57 milionë euro për Prodhimin e Brendshëm Kombëtar të Shqipërisë.
Rrjedhja e gazit do të nisë në vitin 2020. TAP pritet të rrisë 161 mln euro në vit Prodhimin e Brendshëm Kombëtar, ndërsa ekonomia jonë në 20 vitet e ardhshme do të përftojë 1 miliard euro vetëm nga ky projekt”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi edhe problematikën e ndeshur me TAP në trajtimin e vlerës së pronës për banorët e prekur. Rama tha se njësoj si Greqia, ku gjithashtu kalon TAP, merr atë që i takon nga gazsjellësi.
“Kemi trashëguar një marrëveshje e cila kishte një boshllëk të madh për përfitueshmërinë direkte dhe simetrike me vendet e tjera të rrugës ku kalon gazsjellësi në raport me komunitetet. I jam mirënjohës kompanisë që edhe në këtë rast, nuk ka refuzuar, por ka pranuar të negociojë me ne për të gjetur një zgjidhje e cila faktikisht bën që edhe Shqipëria si vendet e tjera, të marrë atë që i takon si kontribut në aspektin social të projektit”, tha Rama.
Duke renditur përfitimet e Shqipërisë nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, Rama tha se vepra e parë që vihet në punë nga ky projekt, është Termocentrali i Vlorës. “Termocentrali i Vlorës do të vihet në punë dhe do të përfitojë nga kjo vepër, furnizimin me gaz”, theksoi kryeministri Rama.
Rama tha gjithashtu se për 25-30 vite, Shqipëria do të jetë e gazifikuar dhe gazi do të jetë burimi kryesor i energjisë në shtëpitë tona.
Kryeministri falënderoi edhe ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili sipas tij, po çon përpara reformën në sektorin e energjisë.
“Falënderoj publikisht ministrin e Energjisë, lidershipi i të cilit ka qenë i vendosur dhe ka çuar përpara me kthjelltësi një proces reformash që po transformojnë sektorin e energjisë”, tha Rama.
Nga ana e tij, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, u shpreh në fjalën e tij se për ndërtimin e TAP sjell përfitime edhe për Bashkimin Evropian. Ai kërkoi nga BE mbështetjen me fonde të vendeve të Evropës Juglindore.
“Shpresoj që ky projekt të sjellë të mira jo vetme për rajonin, por patjetër BE, duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Evropës Juglindore për interkoniktivitetin e këtij rajoni. Ky projekt është një tullë shumë e rëndësishme për këtë infrastrukturë të sigurisë”, u shpreh Gjiknuri.