Pak më shumë se një vit ka kohë Gjykata Themelore në Prishtinë të përfundojë gjykimin e aktakuzës së ngritur për dyshime për keqpërdorime për Fondin e 3-përqindëshit. Në aktakuzën e ngritur në vitin 2017 të akuzuar janë ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, asistenti i tij, Atdhe Gashi, e ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani.
Nga kjo aktakuzë ka mbetur vetëm një vepër penale për t’u gjykuar në këtë rast. Kjo pasi që janë parashkruar disa vepra penale për të akuzuarit. Parashkrimi ose vjetërsimi i lëndës bëhen në ato raste kur sistemi i drejtësisë nuk arrin ta përfundojë një lëndë para kalimit të dyfishit të kohës së paraparë për dënim për veprën penale që akuzohet personi, shkruan sot Koha Ditore.
Për dy të akuzuarit, Naser Osmani e Atdhe Gashi, vjetërsimi ka ndodhur për pikën 3 dhe pikën 5 të aktakuzës.
“I pandehuri Naser Osmani në periudhën kohore prej vitit 2008 -2013, në cilësinë e personit të punësuar në UFORK me qellim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligi, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shuma e shmangies nga i pandehuri dëmtimi i buxhetit të ATK-së – Republikës së Kosovës është 3,510.00 euro, me këtë ka kryer veprën penale shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 1 të Kodit të vjetër Penal si ligj më i favorshëm (KPK)”, thuhet në aktakuzë.
Pasi që kjo vepër dyshohet se është kryer në vitin 2013, atëherë i bie që është vjetërsuar në vitin 2019.
Kjo pasi që në Kodin e Vjetër Penal kjo vepër ka qenë e dënueshme me tre vjet. Prej kohës kur është kryer kanë kaluar disa muaj më shumë se gjashtë vjet. Vjetërsimi i veprës penale bëhet kur kalon dyfishi i kohës së dënimit. Nga 2013 deri tani kanë kaluar gati shtatë vjet.
Edhe të akuzuarit, Atdhe Gashi i ka “vdekur” juridikisht një pikë e akuzës.