Është mbajtur takimi i parë i projektit të bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet komunave të Kosovës, Gjilan e Viti, me ato të Maqedonisë, Kumanovë e Kriva Palanka, për rindërtimin dhe modernizimin e tregjeve. Projekti financohet nga Komisioni Europian.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takimin e parë koordinues kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti dhe kryetarit të Kriva Palankas, Borianco Micevski.
Qëllimi i takimit ka qenë koordinimi për projektet e bashkëpunimit ndërkufitar, ku Komuna e Gjilanit dhe ajo e Kumanovës ka fituar projektin nga Komisioni Europian për rindërtimin dhe modernizimin e tregjeve, ndërkaq më pas janë prezantuar detajet.
“Bashkëpunimi, faza e parë ka filluar për implementim me datën 8 janar 2018. I kemi formuar grupet punuese dhe janë ndarë detyrat për të vazhduar me punë. Sot jemi në këtë takim për të dhënë edhe një mesazh për të vazhduar edhe më fuqishëm përpara. Jam krenar që Gjilani është shembulli më i mirë i bashkëpunimit ndërkufitar dhe në këtë rast është shumë i rëndësishëm rindërtimi dhe modernizimi i tregjeve tona. E falënderoj Komisionin Europian për mbështetjen në këtë dhe shumë projekte të tjera”, tha kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ndërkaq, kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, pasi ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe bashkëpunimin, ka thënë se përmes projektit të përbashkët të modernizimit të tregjeve, do të përfitojnë tregtarët, duke shtuar se implementimi i këtij projekti është shumë i rëndësishëm dhe ka një efekt shumë të gjatë për të ardhmen, sepse vetëm kështu mund të lidhim bashkëpunimin dhe projektet e rëndësishme për qytetarët tanë.
Edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti dhe ai i Kriva Pallankës, Borianco Micevski, kanë falënderuar kryetarin e Gjilanit për pritjen dhe për angazhimin e përbashkët në të mirë të realizimit të projekteve, përmes të cilave do të përfitojnë qytetarët e dy shteteve.
Dardani Sadriu, nga e Komisonit Europian për Kosovë, ka thënë se nga realizimi i projekteve të përbashkëta është shumë i rëndësishëm, duke fuqizuar komunat përkatëse me mbështetjen e KE.
“Jemi këtu për t’i dhënë mbështetje dhe fuqi bashkëpunimit të komunave Gjilanit Komunovës, Maksim Dimitrievski, Vitisë, Kriva Pallankës. Dhjetë projektet e kaluara deri më tani janë të suksesshme dhe ato janë të prekshme. Presim nga projektet që kemi nënshkruar tani që të vazhdojmë edhe më suksesshëm në fushën e bujqësisë, tregëtisë dhe turizmit”, ka thënë Sadriu.
Aktualisht grupet punuese në takimin e madh të përbashkët të katër komunave janë duke e bërë prezantimin detaj të projekteve të tyre. Komuna e Vitisë dhe ajo e Kriva Pallankës do të bashkëpunojnë në projektin për investime dhe zhvillim të turizmit ndërkufitar.
Përndryshe, me financim të Komisionit Europian, Komuna e Gjilanit në krye me Lutfi Hazirin ka realizuar disa projekte në arsim, sport, e bujqësi, duke dikuar direket në dhënien e shërbimeve më të mira për qytetarët.
Ndërkaq, së shpejti pritet të hapet kufiri Stanqiq-Bellanoc, që është një shkurtim i vajtje ardhjes së qytetarëve të Gjilanit dhe pjesës së Anamoravës me komunat e Maqedonisë.