Nis publikimi i rezultateve, PS fiton drejtimin e tri bashkive

Prishtinë | 14 Maj 2023 | 23:23 | Nga Ekonomia Online

Në Shqipëri, autoritetet zgjedhore kanë njoftuar se Partia Socialiste ka fituar garat për kryetar bashkie në Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Në këto tri bashki, votimi në zgjedhjet vendore të 14 majit u bë në mënyrë elektronike, duke mundësuar edhe publikimin më të shpejtë të rezultateve.

Të dielën, qytetarët në Shqipëri votuan për zgjedhjen e 61 kryetarëve të rinj të bashkive dhe këshillave bashkiake. Rezultatet zgjedhore për bashkitë e tjera, ende nuk janë publikuar.

Sipas rezultateve, në Elbasan kandidati i PS-së, Gentian Llataj fitoi mandatin e dytë, duke mposhtur kundërkandidatin nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi.

Kamza do të drejtohet edhe për katër vjet nga socialisti Rakip Suli, i cili fitoi mbi 60 për qind të votave, duke mposhtur Arjan Hoxhën nga “Bashkë Fitojmë”.

Në Vorë, me mbi 75 për qind të votave të fituara, socialisti Blerim Shera mposhti rivalin nga opozita, Indrit Hoxha.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00. Në disa qendra, ku ka pasur radhë të qytetarëve, votimi ka vazhduar edhe pas orës 19:00, raporton REL.

Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 18:00 ishte 36.39 për qind. Pjesëmarrja në këto zgjedhje konsiderohet e ulët. Pikërisht ky ka qenë apeli i krerëve të shtetit dhe politikanëve menjëherë pasi votuan.

Procesi i votimit është përcjellë me disa probleme teknike. Në disa qendra, votimi nisi me vonesë për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka pasur probleme me paraqitjen e komisionarëve, kryesisht të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, në mbarë Shqipërinë u shfaqën probleme me pajisjet për identifikimin biometrik dhe për këtë arsye, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, urdhëroi që identifikimi i votuesve të bëhet manualisht, përkatësisht përmes listës së votuesve.

Të ngjashme