Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, ka mbajtur mbledhjen e parë pas formimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Këtë Komision, e udhëheq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa anëtarë janë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e mblodhi me urgjencë këtë komision, që e krijoi në mbledhjen e Qeverisë gjatë së mërkurës.
Vetë Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, bëri të ditur se do ta udhëheqë këtë komision, derisa tregoi edhe përgjegjësitë e tij.
“Si kryeministër, propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi: e para, të bëjë analizën dhe ndarjen e bashkëpunimit publiko-privat. Reformimin e SHSKUK-së, përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”, tha ai.
E kur Kurti iu drejtua mediave, rreth dy orë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, tha se gjendja në shëndetësi është aq e rëndë saqë s’mund të merret veç Ministria e Shëndetësisë me të.
Ky Komision, u kritikua nga opozita, me ç’rast e konsideruan si “Ministri nën hije”