Substancat narkotike dhe telefonat vështirë se do të futen tani e tuje brenda burgjeve.
Një njësi e inteligjencës brenda burgjeve tashmë ka filluar punën për t’i zbuluar ata që fusin gjera ilegalisht prapa grilave.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi ka treguar për gazetën Objektiv për detyrat që do t’i ketë kjo njësi e inteligjencës.
“Funksioni i tij është shumë i thjeshtë, detyrat primare përmes këtij ligji do të jenë mbledhja e informacioneve për sigurinë e burgjeve dhe të burgosurve si dhe bashkëpunimi me organizatat e tjera të sigurisë ku ne informacionet të cilat e sigurojnë rendin, informacionet e mbledhura burgjeve e të cilat kanë indikacion për sigurinë kombëtare”, tha Thaçi.
Sipas Thaçit, më pas kjo njësi do t’i plasojë informacionet te organet e tjera kompetente të sigurisë.
“Ne do t’i plasojmë te organet e tjera kompetente për siguri. Prandaj, misioni i tyre është kaq i thjeshtë vetëm mbledhja e informacioneve dhe asgjë më shumë, sepse ata nuk kanë të drejtë hetimore, nuk kanë të drejtë operacionale. Përmes kësaj njësie sigurisht që do të organizohen edhe operacione të ndryshme, qoftë të bastisjeve dhe operacione të tjera, që ndodhin brenda shërbimit korrektues, është e mangët nëse nuk ka një informacion inteligjentë paraprak të bazuar që të jetë informacion sa ma i suksesshëm”, shtoi Thaçi.
Edhe ekspertë të sigurisë po e shoshin si të nevojshëm themelimin e kësaj njësie.
Drizan Shala, tha se kjo njësi është e mirëseardhur, pasi sipas tij Policia juridikisht nuk kanë të drejtë të operojnë brenda burgjeve.
“Kjo është një indikacion bukur i mirë se krimi i organizuar brenda burgjeve do të përfundoj, aktiviteti i tyre brenda burgjeve, sepse është krijuar opinioni se në burgjet e Kosovës është duke u zhvilluar korrupsion dhe krim i organizuar, qoftë përmes të burgosurve, por duke shfrytëzuar edhe gardianë të caktuar të cilët për përftime materiale lejojnë që të futen elemente të ndryshme ilegale brenda burgjeve të Kosovës”.