Nis punëtoria për avancimin e raportimit të pasqyrimit të të dhënave

Prishtinë | 10 Qer 2024 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Ka nisur punëtoria rajonale e Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi Standardet e Veçanta të Pasqyrimit së të Dhënave, e cila do të zgjatë për pesë ditë dhe ka për qëllim përmirësimin e raportimit të pasqyrimit të të dhënave, raporton Ekonomia Online.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, në fjalën hyrëse, theksoi rëndësinë e kalimit nga Sistemi i Përgjithshëm për Pasqyrimit të të Dhënave në SDDS, një sistem më i avancuar në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Sipas tij, ky avancim përputhet ngushtë me Planin Strategjik dhe objektivat për përmirësimin e proceseve dhe praktikave të brendshme të BQK-së.

“Kjo ngjarje e ngritjes së njohurive dhe shkëmbimit të përvojave e cila është duke u mbajtur në Prishtinë, u ofron pjesëmarrësve nga vende të ndryshme një mundësi të veçantë për të identifikuar dhe vlerësuar boshllëqet ekzistuese në të dhëna dhe për të ndërtuar plane pune që synojnë avancimin e standardeve të pasqyrimit të të dhënave. Objektivi i kësaj punëtorie transformuese kontribuon në një transparencë dhe efikasitet më të madh në raportimin e të dhënave për shumë institucione të rajonit tonë”, ka thënë Ismaili.

Duke shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e palëkundur ndaj FMN-së, Guvernatori Ismaili nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucione si FMN-ja, të cilat janë të rëndësishme në mbështetjen e këtyre reformave thelbësore.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili falënderoi Qeverinë e Japonisë për mbështetjen e paçmueshme, e cila kontribuon dukshëm në angazhimet e BQK-së, si dhe të institucioneve të tjera rajonale, në raportimin e të dhënave përmes këtij projekti.

Në fund, Guvernatori i BQK-së theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, përfshirë Agjencinë e Statistikave të Kosovës, duke theksuar domosdoshmërinë e shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit të ngushtë, ndërsa rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për të nxitur transparencën sa më të madhe të të dhënave dhe publikimeve me objektivin për mbështetjen e stabilitetit financiar të Republikës së Kosovës.

Kjo ngjarje që zgjat pesë ditë, mbledh përfaqësues nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Sllovenia, së bashku me ekspertë të FMN-së, për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja në avancimin drejt SDDS.

Të ngjashme