Mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta të martën (sot) po i nënshtrohen pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, porse fotografitë me përgjigjet e testit po vazhdojnë të shpërndahen në internet.
Në fotot që KOHA ka siguruar shihen përgjigjet e postuara në një grup që numëron 1555 anëtarë.
Një dukuri e tillë është parë edhe në vitet e kaluara.
Testi ka nisur në orën 10:00 dhe do të përfundojë në 12:00.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se ndaj gjashtë administratorëve që kanë shpërfillur rregullat gjatë pjesës së parë të testit, janë ndërmarrë masa, kurse nxënësve që janë zënë duke kopjuar dhe përdorur telefonin, nuk u është llogaritur asnjë pikë nga testi i parë.
“Ndaj gjashtë administratorëve që i kemi vërtetuar që nuk i kanë përfillur rregullat janë ndërmarrë masat, kurse rrjetet sociale sigurisht që duhet të vërtetohen dhe hetohen. Sipas nxënësve, ka edhe mësimdhënës që kanë hyrë në këto rrjete sociale, sigurisht se ata do të identifikohen dhe do të ndërmerren masa ndaj tyre”, Fatmir Elezi, drejtor në Divizionin për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim i MASHTI-t.