Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, të hënën, ka filluar vaksinimi i të moshuarëve mbi 80-vjeç kundër COVID-19.
Gjatë ditës, sipas epidemiologes, Bedrie Rama, janë vaksinuar 11 persona, të ciët janë regjistruar paraprakisht. Ndërkohë, nga java e kaluar kur ka filluar vaksinimi në këtë komunë, janë vaksinuar 53 veta.
“Sot ka filluar vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 80-vjeçare, të cilët ftohen sipas listës që janë lajmëruar. Deri më tani janë vaksinuar 53 persona në Komunën e Podujevës. Prej tyre 35 janë personel shëndetësor, 7 gardianë të Burgut të Sigurisë së Lartë në fshatin Gërofc, të tjerët të moshuar mbi moshën 80-vjeçare”, ka thënë për KOHËN, Bedrie Rama.
Ajo ka theksuar se ka shumë të interesuar nga stafi shëndetësor që të vaksinohen.
Komuna e Podujevës fillimisht ishte furnizuar me 150 doza të vaksinës Astra Zeneca, ndërsa më vonë është furnizuar edhe me 350 doza tjera, që në total janë 500.
Epidemiologia Rama ka thënë se në Komunën e Podujevës janë 405 raste aktive me koronavirus. Ndërsa, që prej vitit të kaluar kur është paraqitur rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, numri i të infektuarëve në këtë komunë ka arritur në afro 4 mijë. Prej tyre janë shëruar 3 mijë e 637, ndërsa 54 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19.