Ekipet mobile të IKSHPK-së gjatë së enjtes janë vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku qëllim kanë ofrimin mundësive që qytetarët të vaksinohen kundër Covid-19, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm ishin ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama si dhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se kur numri i rasteve me Covid-19 po bie, shpëtim i vetëm është vaksinimi.
Ai ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për marrjen e vaksinës.
Me këtë rast, ministri Latifi premtoi hapjen edhe të një pike në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.
“Në këtë ditë kaq të bukur kur numri i rasteve të Covid po bie, por duhet me na ra krejt mos me pas më raste të Covidit. Të vetmen mënyrë që ne mund ta bëjmë këtë është që të gjithë të vaksinohemi. Nëse sot të gjithë na këtu i bindim nga dy veta me u vaksinu, ka me pas të paktën nja 100 veta më shumë me u vaksinu. Unë i lus të gjithë qytetarët të gjithë ata qe nuk janë vaksinuar, që të vaksinohen edhe me të parën edhe me të dytën por edhe me të tretën, se nuk kemi zgjidhje tjetër. Vetëm në këtë mënyrë ne e mbajmë qytetin hapur, qytetin e bukur të Prishtinës, i mbajmë restorantet, fushat sportive, të gjitha lokalet hapur, e mbajmë ekonominë hapur edhe jetën tonë e shkollat tona. Nëse nuk vaksinohemi kjo ditë kaq e bukur mund të na keqësohet. Pastaj ne duhet prapë me i marr masat të cilat unë për një nuk kam as një dëshirë mi mbajt asnjë restorant hapur për asnjë sekondë, asnjë palestër por me i lanë me punu si zakonisht”, u shpreh ai.
Të njëjtën thirrje e ka edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai tha se fatmirësisht ka mjaftueshëm vaksina dhe për këtë arsye janë shtuar qendrat e vaksinimit në kryeqytet.
“Vaksinimi duhet të vazhdoj ku jemi në një kontroll të mirë të pandemisë, duke i falënderuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Po ndihemi me një vetëbesim shumë të lartë mirëpo duhet me vazhdu vaksinimi dhe për këtë arsye edhe janë vendosur pika e vaksinimit ne qendër të Prishtinës. Tash për fat të mirë kemi vaksina nuk kemi problem me vaksina, mirëpo duhet me u vaksinuar qytetarët e Prishtinës që të jenë të mbrojtur tash për të ardhmen”, tha Rama.