Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter, do të hetohet nga një prokuror i posaçëm me kompetenca të shtuara.
Lajmin e ka bërë të ditur prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, i cili ka zgjedhur prokurorin federal David Weiss për çështjen.
Një marrëveshje mes palëve, në kuadër të të cilës djali i Biden do të pranonte fajin në këmbim të shmangies së burgut dështoi më herët gjatë muajit.
Aktualisht janë republikanët që po nxisin hetimet mbi marrëveshjet e bizneseve të Biden Junior.
Në një deklaratë surprizë të premten në Departamentin e Drejtësisë, Garland sqaroi se po e ndërmerrte lëvizjen pas një kërkese të bërë nga vetë prokurori Weiss më herët gjatë javës.
Caktimi në këtë detyrë do ta pajisë prokurorin me burime shtesë për të vijuar hetimin dhe për të ngritur akuza të reja që shkojnë përtej shtetit të Delauerit.
Sipas kryeprokurorit, hetuesi i posaçëm do të hartojë një raport kur puna e tij të ketët përfunduar dhe Departamenti i Drejtësisë do të publikojë pjesën dërrmuese të tij sa më parë të jetë e mundur.
“Caktimi i zotit Weiss përforcon për qytetarët amerikanë zotimin e Departamentit të Drejtësisë për pavarësi dhe mbajtje përgjegjësie për çështje të ndjeshme”, deklaroi më tej Garland.
Ndërsa avokati i Hunter Biden, Chris Clark reagoi përmes një deklarate: “Jemi besimplotë se kur të gjitha këto manovra të përfundojnë, klienti im do të jetë çliruar dhe do të vijojë me sukses jetën e tij”, tha ai.