Prokuroria e Themelore e Ferizajt, ka nisur hetimet për tri qendra tregtare dhe një firmë transportuese të mishit. Ky veprim i Prokurorisë së këtushme vjen pas një kontrolli që Inspektorati Komunal kreu ku gjeti, konfiskoi dhe asgjësoi gati 2 ton mish të rrezikshëm për konsum. Kryeprokurori Shukri Jashari, në një intervistë për Televizionin Tema, duke i përmendur emrat e bizneseve të përfshira në këtë vepër penale, tha se ky institucion e ka prioritet që këtë çështje ta përshpejtoj me procedura.
“Bëhet fjalë për inspektimin e qendrave tregtare “Super Viva” dhe “Viva Fresh”. Në ‘’Super Viva’’ në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” kanë gjetur një sasi të mishit me afat të skaduar, gjithashtu edhe në këtë biznes në rrugën “Bajram dhe Gursel Sylejmani” është gjetur sasi e mishit me afat të skaduar, ndërsa mish i tillë është gjetur edhe në “Viva Fresh” në rrugën “Naim Beka”. Të gjitha këto janë sekuestruar nga ana e Inspektoratit dhe janë asgjësuar, ndërsa Prokuroria ka autorizuar Njësinë e Krimeve Ekonomike të rajonit të Ferizajt për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për veprën penale prodhimi dhe vënia në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor të paraparë me Kodin Penal të Kosovës. Dënimi mund të jetë deri në 3 vite burg, por që ne nuk mund të themi më shumë asgjë derisa nuk vërtetohet në Gjykatë me aktgjykim të plotfuqishëm”, theksoi Jashari.
Ky në fakt ishte rasti i parë i Inspektoratit që ka bërë në dy javorin e fundit. Dje, po ashtu Inspektorët Komunal kanë konfiskuar dhe asgjësuar edhe disa kilogram të tjerë të mishit të rrezikshëm për konsum. Koordinatori i Inspektorëve të komunës Ridvan Berisha, njoftoi se këtë mish dje e zunë në flagrancë, duke u transportuar në mënyrë joligjore.
“E kemi konstatu gjendjen e kampionit dhe mishin brenda tij, gjendja nuk ka qenë e mirë pasi që mishi i freskët që ishte mish gjedhi 370 kg dhe ka pasur kofsha pule 115 kilogram. Që të njëjtat është dashur të kenë kushte të veçanta të transportit, pasi që mishi i gjedhit kishte dokumentet përcjellëse, por që temperatura e tij duhet të jetë 4-6 gradë celsius, kurse kofshët e pulës duhet të jenë -15 deri në -18 gradë për t’u transportuar. E në momentin e inspektimit mishi i gjedhit ka qenë duke u transportuar në 17 gradë, kurse produktet e plus ishin 6.8. Po ashtu, edhe kamioni brenda nuk kishte asnjë kusht sanitar për këtë transportim”, tha Berisha.
Edhe për rastin e djeshëm, Prokuroria e Ferizaj është e njoftuar, ndërsa sipas kryeprokurorit ky rast dallon nga ai i pari.
“Siç jeni njoftuar edhe ju, dje një kampion frigo i kompanisë “Apetiti” nga Prishtina ka bërë transportimin e produkteve të mishit, 372 kg mish gjedhi dhe 115 kofsha të pulës. Pra, ky transportim është zënë në flagrancë ku është konstatuar që nuk i ka pasur as kushtet minimale për transport të mishit. Destinacioni i këtyre produkteve ka qenë mishi i gjedhit për në ETC, ndërsa ai i pulës në “Viva Fresh” . Ne edhe këtu kemi vepruar dhe i kemi autorizuar krimet ekonomike për hetime të mëtutjeshme”, tha kryeprokurori Shukri Jashari.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, u zotua se ky problem dhe shqetësim i madh për qytetarët, si dukuri negative do të ndalet, pasi dënimet dhe kontrolli i vazhdueshëm do të kenë sukses për sigurinë e qytetarëve tanë.