Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtorët, Lorenc Marleku dhe Petrit Bekaj, kanë qëndruar sot në fshatin Krushevë e Madhe të Klinës, ku janë takuar me udhëheqësin e fshatit Lekë Bekaj dhe banorët tjerë, për të shikuar dhe biseduar rreth asfaltimit të rrugës dhe rregullimit të kanalizimit për trajtimin e ujërave të zeza në këtë fshat.
Të dy projektet do të realizohen në bashkëfinancim nga Komuna e Klinës me Ministrinë e Infrastrukturës. Bashkë me strukturat e pushtetit lokal në këtë fshat kanë qenë edhe dy kompani projektuese.
“Asfaltimi i kësaj rrugë është më se i nevojshëm dhe do të krijojë lehtësi në lëvizje për banorët e këtij fshati. Po ashtu, edhe kanalizimi ka qenë nevojë e kahershme e këtyre banorëve. Sot bashkëbiseduam me komunitetin në Krushevë para se të nisin procedurat për hartimin e projektit për marrë edhe mendimet e sugjerimet e tyre. Praktike e qeverisjes sonë është edhe bashkëbisedimi paraprakisht me komunitetin në mënyrë që edhe ata të jenë të informuar për projektin”, ka thënë kryetari Elezaj.
Banorët e këtij fshati, kanë falënderuar kryetarin Elezaj dhe stafin e tij për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në fillimin e realizmit të këtyre dy projekteve jetike.