Nisin përgatitjet për Festivalin Folklorik Gjithëkombëtar “I këndojmë lirisë” në Klinë

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 13:33 | Nga

Në Klinë filluan përgatitjet për organizimin dhe mbajtjen e Festivalit Folklorik Gjithëkombëtar “I këndojmë lirisë”, i cili edhe sivjet do të mbahet më 6,7 dhe 8 qershor.

Skënder Merturi, drejtor komunal i Kulturës, paraqiti përbërjen e Këshillit organizativ, si dhe përgatitjet për mbajtjen e këtij festivali tashmë tradicional, duke theksuar ndryshimet që do të bëhen me qëllim të avancimit të tij.

Ushtrues i detyrës së drejtorit të festivalit u zgjodh Dibran Fylli, që ishte ideatori dhe skenaristi i festivalit të parë, të mbajtur në vitin 2000. Ai theksoi se ky festival do t’i kthehet burimit aty ku ka nisur, pa politizime dhe duke afirmuar këngën folklorike nga të gjitha trojet shqiptare.

Ndërkaq, zëdhënës i festivalit “I këndojmë lirisë” u zgjodh Enver Maloku.

Në mbledhjen e Këshillit organizativ u përcaktuan kahet dhe detyrat konkrete të trupave punuese të festivalit, duke filluar nga Këshilli organizativ dhe bartësit tjerë të këtij manifestimi folklorik gjithëkombëtar. U kërkua që Ministria e Kulturës ta ndihmojë financiarisht këtë festival gjithëkombëtar.

Hapja e festivalit edhe sivjet bëhet në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit, komandant Kapuçit, nga një bashkëluftëtar i komandantit të shquar të UÇK-së.

Sivjet pos çmimit kryesor “Mujë Krasniqi”, do të ndahen edhe dy çmime të tjera, ai i “Beqir Gashit” dhe “Ali Krasniqit”.

Të ngjashme