Nisin përgatitjet për kthim të targave ilegale në “RKS”

Prishtinë | 21 Kor 2022 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Institucionet e Kosovës kanë nisur përgatitjet për zbatimin e vendimit për regjistrim me targa RKS të mjeteve që posedojnë targa ilegale, të lëshuara nga Serbia.

Të mërkurën është mbajtur takimi informues në Agjencinë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme me udhëheqësit e Qendrave për Regjistrim Automjetesh, ka njoftuar MPB-ja.

“Në këtë takim u diskutua për zbatimin e Vendimit Nr. 01/85 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 29.06.2022, si dhe u vunë në pah modalitetet për formën se si do të shkojë ky proces për regjistrimin e mjeteve, sipas Udhëzimit Administrativ, Nr. 03/2022 për regjistrimin me targa ‘RKS’ të mjeteve që posedojnë targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’ DHE ‘DA’ APO ‘ĐA’”, thuhet në njoftim.

Me vendim të qershorit, qytetarëve, kryesisht atyre në veri, u jepet edhe një shans, siç është thënë të fundit, për kthim në targa RKS. Sipas Qeverisë, pronarëve të veturave me këto targa u është mundësuar që kthimin në RKS ta bëjnë në periudhën 1 gusht 2022 – 30 shtator 2022, pra dy muaj kohë. “Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhej në njoftim.

Edhe kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi në Facebook të mërkurën, ka ftuar të gjithë ata që kanë targa ilegale të shfrytëzojnë mundësinë për të regjistruar automjetet e tyre pa paguar taksa doganore, administrative apo tarifa për targa a certifikata regjistrimi.

Vendimi është kundërshtuar nga Serbia. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se implementimi i vendimeve të mara nga Qeveria e Kosovës për reciprocitet në letërnjoftime dhe për kthim të targave ilegale serbe në ato RKS, është shpallje e luftës.

Ndërkaq emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dy ditë më parë u shpreh se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të hequr targat ilegale nga Serbia është legjitim. Megjithatë, ai ka thënë se për këtë vendim ka munguar bashkëpunimi me “palët e prekura”.

Vitin e kaluar, Qeveria vendosi reciprocitet edhe për targa të veturave. Nga ajo kohë, veturat me targa të Serbisë që futen në Kosovë duhet të mbulojnë simbolin shtetëror, njëjtë siç veprohet edhe me veturat që kanë targa RKS kur futen në Serbi. Deri para këtij vendimi, veturat me targa serbe lejoheshin në Kosovë, ndërsa ato me targa RKS, ku futeshin në Serbi, merrnin një targë të përkohshme, që e lëshonte Beogradi zyrtar me pagesë.

Të ngjashme