Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka përuruar fillimin e ndërtimit të parkut për fëmijë në shkollën “Dëshmorët e Kombit”, në Lagjen “Malësia” të Kamenicës, raporton Ekonomia Online.
Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, tha se realizimi i këtij projekti në Kamenicë krijon kushte më të mira për rekreacion.
Sipas tij, në atë pjesë do të vendosen ulëse, drunj dekorativ, gjelbërim që do të jenë në funksion të nxënësve, por edhe të rinjve të këtyre dy lagjeve të pjesës së këtij qyteti.
“Sot e përfunduam ditën me aktivitete edhe në lagjen “Malësia” në përurimin e fillimeve të punimeve të parkut rekreativ për nxënësit e shkollës fillore “Dëshmorët e Kombit” dhe për të rinjtë tjerë të Kamenicës. Ky projekt është në kuadër që ka të bëjë me hapësirat gjelbëruese rekreative në Kamenicë, në kuadër të së cilës përfshihen katër projekte në Kamenicë. Realizimi i këtij projekti në këtë shkollë krijon kushte më të mira për rekreacion, besoj edhe për aktivitete tjera mësimore që mund të zhvillohen por edhe shkollës i jep formë më te pranueshme sepse kjo shkollë është e re e ndërtuar së voni. Këtu do të vendoset një pllato, do të vendosen ulëse, drunj dekorativ, gjelbërim që do të jenë në funksion të nxënësve, por edhe të rinjve të këtyre dy lagjeve të pjesës së këtij qyteti”, tha ai për Ekonomia Online.
Matoshi tha se ky investim pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Drejtori i Shkollës “Dëshmorët e Kombit”, Hazir Berisha, ka thënë se ky projekt është i rëndësishëm për 500 nxënësit e kësaj shkolle.
“Është një projekt park rekreativ që u ndihmon nxënësve mjaftueshëm dhe ju ndihmon të rinjve të dy lagjeve që të ketë mundësi ta shfrytëzojnë. Ka qenë shumë i nevojshëm ky projekt sepse hapësira e tillë ka qenë e kufizuar ndërsa tani mundësia e gjithë qytetarëve ta shfrytëzojnë këtë park. Në këtë shkollë janë më shumë se 500 nxënës”, tha ai për Ekonomia Online.