Nisin punimet për rikonstruktimin e rrugës Kijevë–Malishevë, investim 2.4 milionë euro

Prishtinë | 07 Maj 2026 | 09:51 | Nga Gzim Mujaj

Qeveria e Kosovës ka nisur punimet për rikonstruktimin e rrugës rajonale R119, segmenti Kijevë–Malishevë, projekt që kap vlerën prej 2.4 milionë eurosh dhe që përfshin rehabilitimin e mbi 11 kilometrave rrugë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se projekti paraqet një investim të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe zonës së Llapushës, derisa theksoi se punët infrastrukturore do të vazhdojnë pavarësisht zhvillimeve politike në vend.

“Fillimin e punimeve në rindërtimin e një rruge tejet të rëndësishme, të një projekti infrastrukturor jetik për banorët e kësaj zone dhe jo vetëm. Ju e dini që janë bërë shumë përpjekje për të na ndalur dhe për ta ndalur mandatin që populli na dha në masën më të madhe në Kosovën e pasluftës, por ne nuk i ndalim punët e reja, të mira e gjithsesi të dobishme për qytetarët e Republikës.

Me rindërtimin e rrugës Kijevë–Malishevë, si Qeveri e Republikës së Kosovës po bëjmë një investim tejet të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe të mbarë zonës së Llapushës e më gjerë”, tha ai.

Kurti bëri të ditur se rruga ka gjatësi mbi 11 kilometra dhe lidh Malishevën me pesë fshatra të zonës, ndërsa projekti parasheh rindërtim të plotë të saj.

“Kjo rrugë në tërësi ka gjatësi mbi 11 kilometra dhe është lidhje kyçe për Malishevën dhe pesë fshatra përgjatë saj, me ç’rast projekti përfshin rindërtimin e tërësishëm, nga baza deri te asfaltimi final. Punimet që nisin përfshijnë një segment prej 8.5 kilometrash, ndërkaq për pjesën e mbetur do të procedohet së shpejti me aktivitetin e prokurimit”, tha ai.

Ai shtoi se, sipas operatorit ekonomik, punimet pritet të përfundojnë brenda 225 ditëve pune, ndërsa projekti do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe uljen e kostove për bizneset.

“Na u tha nga operatori ekonomik se janë gjithsej 225 ditë pune deri në përmbylljen e këtij investimi, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i sigurt. Me kujdes do të trajtohet edhe kanalizimi i ujërave atmosferikë, sepse rrugën që po e rindërtojmë nuk mund ta mirëmbajmë pa kujdes për kanalizimin e ujërave atmosferikë, në mënyrë që ajo të jetë e qëndrueshme.

Do të rritet qarkullimi padyshim, por edhe siguria; do të ulen kostot e bizneseve dhe ne do të vazhdojmë me implementimin e këtij projekti dhe të tjerëve të ngjashëm. Ju faleminderit shumë, e gëzofshi!”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se për herë të parë po bëhet rehabilitim i plotë i kësaj rruge, e cila për vite me radhë ishte trajtuar vetëm përmes mirëmbajtjes.

“Kjo rrugë me dekada është menaxhuar përmes mirëmbajtjes. Për herë të parë, me mbështetjen tonë, kemi bërë hartimin e projektit të plotë dhe tani po rehabilitohet e tërë rruga, pra mbi 11 kilometra.

Segmenti i parë prej 8 kilometrash është pjesë e kontratës së parë, pastaj do të jemi në procedura edhe për segmentin e dytë prej 3 kilometrash të tjerë. Siç edhe u theksua, rruga do të përfshijë trotuare të reja në ato hapësira ku ka nevojë, do të bëhet trajtimi i ujërave atmosferikë, si dhe rregullimi i stacioneve të autobusëve, ku qytetarët presin çdo ditë.

Pra, do të jetë një rehabilitim i plotë prej 2.4 milionë eurosh nga Qeveria Kurti për qytetarët”, tha ai.

Të ngjashme