Në dy ndeshjet e para të pjesës pranverore, sulmuesi Kastriot Rexha ka shënuar tre gola. Dhe golat e tij ishin tejet të rëndësishëm për skuadrën që synon të kthejë titullin dhe Kupën në Drenas, shkruan sot Koha Ditore.
Sulmuesi shtatlartë shënoi golin e vetëm në duelin çerekfinal të Kupës ndaj Ferizajt (1:0) për të ndihmuar Feronikelin të kualifikohet në gjysmëfinale të kësaj gare, kurse të hënën realizoi dy golat në triumfin 2:0 në udhëtim ndaj Lirisë, i cili i mundësoi Feronikelit të ngjitet në krye të renditjes pas një periudhe të gjatë.
Tash Feronikeli është lider me 42 pikë, dy më shumë se Prishtina që u befasua nga Flamurtari (2:0) po të hënën në “Fadil Vokrri”, derisa pozitën e tretë e mban skuadra e Llapit me 38.
Me tre golat e shënuar në pranverë, Rexha aktualisht është realizatori më i mirë te Feronikeli me 11 gola në të gjitha garat. Ai thotë se ka pritur një nismë të tillë të Feronikelit bazuar në cilësitë që ka ekipi dhe në përgatitjet që ka bërë.
Edicionin e shkuar, Rexha ndihmoi Dritën të shpallet kampione, derisa një gjë të tillë pret ta bëjë edhe me Feronikelin.