Nisma Socialdemokrate, nuk po pajtohet me vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, për rinumërimin e 303 vendvotimeve, raporton EkonomiaOnline.
Kjo parti po këmbëngul se rinumërimi duhet të ndodh në nivel vendi.
Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi, në një konferencë për media tha se duke parë parregullsitë që janë bërë me formularët, KQZ-ja duhet të marrë vendim për rinumërimin e të gjitha kutive.
“Ne jemi të bindur që jo vetëm 303 kuti, por të gjitha kutitë e kanë të njëjtin formular dhe kështu del që të gjitha kutitë të shkojnë në rinumërim. Në bazë të këtyre të dhënave nuk kuptohet se ku është e vërteta e votës së qytetarëve. Ne çdo ditë do të përcjellim çdo kuti dhe do dalim në konferenca dhe do të bëjmë publike të gjitha parregullsitë. Duhet të jepet urdhër për rinumërimin e të gjitha kutive. KQZ duhet të marrë vendim që të gjitha kutitë e votimit t’i qojnë në rinumërim”, tha ai.
Sherifi tutje ka shtuar se me këto gabime po rrezikohet vërtetësia e të dhënave, duke kërkuar që vota e qytetarit të lexohet drejtë.
“Shpreh knaqësinë që KQZ-ja morri vendim ashtu siç kemi pretenduar ne që ka pasë gabime në formular, ka pranuar që ka gabime teknike në formular që në fakt kanë prodhuar gabime në bartjen e të dhënave. Këto janë arsyet e konferencës, sepse jemi të kënaqur me pranimin e gabimit”.
“Askush nga Nisma nuk po e konteston rregullësinë e daljes në zgjedhje të qytetarëve dhe deri në këtë pikë jemi në rregull, nga momenti kur janë hapë kutitë janë numëruar votat aty pastaj janë bërë gabime të mëdha që rrezikojnë vërtetësinë e të dhënave. Kemi 3 deri në 4 formularë. Si rezultat i mbushjes së 3 apo 4 formularëve kemi një produkt të çuditshëm. Nuk ka asnjë arsye politike që ne kemi kërkuar rinumërim, ne vetëm duam që vota e qytetarit të lexohet drejtë”.