Këshilli Kombëtar i Nismës ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje i është bërë një analizë e punës së NISMA’s në zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale në vitin 2017 si dhe rrugëtimin e NISMA’s në këto vite.
Në skenën politike NISMA ka sjellë një kulturë komunikimi që vendit i ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe, ka thënë kreu i NISMA’s Fatmir Limaj.
Kryetari Limaj foli për gjendjen aktuale në vend, ku theksoi se duhet të punohet shumë në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe duhet të përkushtohemi në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në të gjitha sektorët.
“Si zyrtar qeveritar në nivelin qendror dhe lokal kemi përgjegjësi të gjithë që të jemi zëri i qytetarëve dhe programit të Nismës në interes të zhvillimit të vendit. Duhet të jemi shembull i një përfaqësimi dinjitoz. Ne kemi nxjerrë para vetës një alternativë që ofron dhe bashkon njerëz, një alternativë nuk humb kohë për gjera dhe fjalë të kota, por me vepra të mëdha që ndikojnë në zhvillimin e vendit.”, ka thënë ndër të tjera Kryetari Limaj.
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi foli për proceset politike që NISMA ka kaluar, duke marrë vendime të duhura dhe të drejta.
“Si opozitë jemi rreshtuar kundër demarkacionit dhe marrëveshjeve tjera të dëmshme për vendin, si opozitë e bashkuar kemi qenë kundër, dhe tani si pozitë duhet të punojmë për këto çështje dhe jemi të bindur se ky koalicion qeverisës duhet të gjejë zgjidhje rreth këtyre çështjeve” ka thënë kryetari Krasniqi.
Sekretari i Përgjithshëm i NISMA’s, Bilall Sherifi tha se përmes Asamblistëve tanë zëri i NISMËS tashmë është i përfaqësuar në shumicën e komunave. Gjithashtu Sekretari Sherifi ka thënë se koha e fjalëve ka mbaruar, tani është koha e veprimit në funksion të realizimit të premtimeve tona.
Përveç fjalëve të krerëve të NISMA’s, pati edhe diskutime nga anëtarët tjerë të Këshillit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi në këtë mbledhje propozoi që t’i ndryshohet emri partisë, nga NISMA për Kosovën në NISMA Socialdemokrate, ky propozim u hodh në votim ku të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar votuan pro këtij ndryshimi.