Nisma Socialdemokrate hap fushatën me sloganin “Përjetë Kosova”

Prishtinë | 13 Sht 2025 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Nisma Socialdemokrate ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me sloganin “Përjetë Kosova”, duke prezantuar kandidatët për kryetarë komunash dhe mbi 400 kandidatë për asambleistë. Në këtë nisje të fushatës, kandidatja për kryetare të Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku, dhe kandidatja për kryetare të Prizrenit, Albulena Balaj Halimaj, dhe kandidati Ekrem Kastrati kanë shpalosur mesazhet e tyre për qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Kandidatja e Nismës për kryetare të Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku, tha se kandidatura e saj është një hap i ri dhe se qyteti ka nevojë për një kryetar të vërtetë.

“Edhe për mua është një epokë e re, një nismë e re, është hera e parë që po kandidoj për kryetare të Vushtrrisë. E mora besimin nga kryetari Limaj dhe hyra në këtë garë, jo për veten time, jo për ambicie personale hyra në këtë garë sepse qyteti im Vushtrria ka nevojë për një kryetar të vërtetë, siç është Ekrem Kastrati që merr vendime të fuqishme e realizon projekte të fuqishme. Edhe në Vushtrri ka nevojë që të ketë një kryetar që ka vendimmarrje. Sepse ne e kemi një pushtet lokal në Vushtrri që qeverisjen nuk e kryen kryetari, por e nënshkruan kryetari, e marrin vendime të tjerë për të në parti e në kafe. Pra unë do ta liroj nga pengmarrja kryetarin aktual duke qenë kryetare e vërtetë”, ka thënë Izmanki.

Ndërsa kandidatja për kryetare të Prizrenit, Albulena Balaj Halimaj, tha se vizioni i Nismës është i qartë dhe se modeli i suksesit të Malishevës mund të përcillet edhe në Prizren.

“Nisma ka ndërtuar një vizion të qartë, Limaj nuk është vetëm një lider politik, ai është një simbol i qëndresës, i vendosur dhe i përkushtuar ndaj Kosovës. Ne të gjithë bashkë jemi vazhdimësi e këtij vizioni. Kudo që njerëzit e Nismës kanë marrë përgjegjësi kanë lënë gjurmë dhe shembulli më i mirë edhe më i madh është Malisheva e udhëhequr nga kryetari Ekrem Kastrati. Ky është modeli që duam që ta dërgojmë edhe në Prizren. Si grua, si nënë dhe si politikane e kam bërë këtë hap sepse besoj që politika duhet ta ketë shpirtin e një nëne, kujdes, ndjeshmëri dhe vendosmëri. Për të ndërtuar një shoqëri më të mirë për të gjithë fëmijët tanë, këtë shpirt do ta përcjell edhe në Prizren”, ka deklaruar Balaj Halimaj.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka kërkuar mobilizim të gjerë në çdo qytet dhe fshat, duke e cilësuar Asamblenë Komunale si bazën e demokracisë.

“Nga sot ju të gjithë jeni bashkë, do të shkojmë fshat për fshat e lagje për lagje për të shfaqur vizionin tonë. Do të bashkëbisedojmë me shumë qytetarë të shtresave të ndryshme, me shumë halle e shumë shqetësime, ju do të jeni zëri i tyre, ju do të përfaqësoni vizionin, dëshirat, ambiciet, por edhe shqetësimet e tyre. Asambleja komunale është gjeneza e demokracisë dhe e shtetit. Aty fillon kuadri shtetëror. Fokusimi dhe përkushtimi ynë përcakton dhe tregon përcaktimin tonë se sa e duam vendlindjen tonë. Kjo është qasja ndaj atdheut, komunës, vendlindjes. Ju si asamblistë nesër më mirë se kush tjetër duhet ta bëni, ta doni, ta vlerësoni vendlindjen tuaj e të punoni fort për të”, ka theksuar Limaj.

Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje garon në gjashtë komuna me gjashtë kandidatë për kryetarë dhe mbi 400 kandidatë për asamblistë.

Të ngjashme