Niveli i Danubit bie në minimum historik, Rumania mbyll centralin e vetëm bërthamor

Prishtinë | 13 Gus 2026 | 21:55 | Nga Ekonomia Online

Rumania ka mbyllur centralin e saj të vetëm bërthamor në Cernavodă për shkak të niveleve jashtëzakonisht të ulëta të ujit në lumin Danub, të shkaktuara nga vala e zgjatur e të nxehtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës.

Dy reaktorët e centralit prodhojnë rreth 20 për qind të energjisë elektrike të vendit, ndërsa autoritetet nuk presin që centrali të rifillojë punën brenda 10 ditëve të ardhshme.

Reaktori i parë ishte mbyllur gjatë muajit korrik, ndërsa i dyti u shkëput nga rrjeti elektrik të enjten, shkruan BBC.

Centrali përdor ujin e Danubit për ftohje, ndërsa niveli i lumit ka rënë ndjeshëm. Autoritetet kishin tentuar të rrisnin rrjedhën e ujit drejt centralit duke fundosur barka të mbushura me gurë.

Cernavodă ishte mbyllur vetëm një herë më parë për shkak të mungesës së ujit, në vitin 2003.

Rënia e nivelit të Danubit po shkakton probleme edhe në Hungari, ku centrali bërthamor në Paks rrezikon gjithashtu mbylljen nëse situata përkeqësohet.

Në disa zona, niveli i Danubit ka rënë në pikën më të ulët të 30 viteve të fundit.

Mungesa e energjisë në Rumani pritet të kompensohet pjesërisht nga burimet diellore dhe të erës, ndërsa gjatë mbrëmjeve vendi mund të ketë nevojë për rritje të importeve të energjisë.

Valët e të nxehtit po shkaktojnë pasoja të mëdha në gjithë Evropën, duke ulur nivelet e lumenjve, dëmtuar bujqësinë dhe rritur rrezikun nga zjarret.

Të ngjashme