Pavarësisht masave të ndërmarra për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë niveli i ndotjes po vazhdon të jetë i lartë edhe më tej. Për shkak të nivelit alarmant të ndotjes së ajrit gjatë këtij muaji shumë qytetarë kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të problemeve respiratore që u janë paraqitur
Ndotja e ajrit po vazhdon të jetë njëra nga problematikat kryesore në Kosovë. Me uljen e temperaturave edhe gjatë këtij viti është rritur niveli i ajrit të ndotur në vend, pavarësisht masave që janë ndërmarrë për përmirësimin e tij.
Shkaktarë të kësaj ndotjeje vlerësohet të jenë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), numri i madh i makinave dhe përdorimi i lëndëve djegëse, gjegjësisht i thëngjillit. Nga Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë bërë të ditur se brenda një muaji 15 pacientë kanë kërkuar trajtim mjekësor si pasojë e ajrit të ndotur.
Ndaj ata kanë bërë thirrje te qytetarët të ndërmarrin disa masa vetanake, siç është vënia e maskave në ambientet e hapura, në mënyrë që t’i parandalojmë dëmtimet nga ndotja e ajrit.