Një 30-vjeçar nga Kosova është vrarë me armë zjarri në Mulhouse të Francës. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 17.45, por është raportuar tani nga mediat franceze.
Janë fqinjët ata të cilët e kanë dhënë alarmin ku denoncuan se në një ndërtesë të vogël banimi në rrugën “Rue des Juifs”, në lagjen Dornach në Mulhouse, janë dëgjuar të shtëna armësh, shkruan “France Bleu”.
Bëhet e ditur se është vrarë një person rreth të tridhjetave me origjinë kosovare. Hetimet policore kanë filluar menjëherë. Autori i krimit, një person 35-vjeçar është ende në arrati dhe i kërkuar nga policia, shkruan syri.net.
Kufoma e shqiptarit është gjetur në oborr nga fqinjët. Dyshohet se ai është vrarë nga fqinji i tij nga kati i tretë, për shkak të zhurmës së madhe që po bënte.