Një 37 vjeçar dyshohet se është vrarë në Gjilan, Policia flet për rastin

Prishtinë | 07 Nën 2024 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Një person dyshohet se është vrarë sot në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 13:52 dhe se vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipi i emergjencës së spitalit të Gjilanit.

“Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit” në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete.”

Ai tha se “nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri”.

Hashani bëri të ditur se kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve dhe ndriçimin e rastit.

“Në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit”, tha Hashani për Express.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Të ngjashme