Një grua u gjet e vdekur në shtetin Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një piton rreth 2.5 metra të gjatë që i kishte mbështjellë qafën, në një shtëpi të mbushur me gjarpërinj.
Megjithatë, autoritetet nuk e përcaktuan shkakun e vdekjes së 36-vjeçares Laura Hurst, e cila u gjet e vdekur në një shtëpi në pronësi të sherifit lokal.
Zëdhënësi i policisë së Indianas, Kim Riley, tha se Hurst u gjet në dyshemenë e shtëpisë në ora 8:51 pasditen e së mërkurës me pitonin e mbështjellë rreth qafës së saj, përcjell Telegrafi. Policia gjeti 140 gjarpërinj në shtëpi, ku rreth 20 prej tyre besohet t’i përkisnin 36-vjeçares Hurst.
Sherifi i qarkut Benton, Don Munson, i cili ka në pronësi shtëpinë dhe jeton në shtëpinë fqinje, tha se vdekja e Laura Hurst ishte një “aksident tragjik”, duke shtuar se ai po bashkëpunon plotësisht përderisa hetimi për vdekjen e saj vazhdon.