14 shkurti njihet si Dita e të Dashuruarve ku përveç dashurisë këtë ditë e bëjnë të veçantë edhe dhuratat që partnerët i shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Lulet, bizhuteritë e ndryshme, çokollatat, kartolinat janë disa nga dhuratat që qytetarëve të Kosovës u pëlqejnë që t’iu dhurojnë të dashurve të tyre me rastin e 14 shkurtit.
E për të festuar Shën Valentinin, Kosovën e kishte zgjedhur një çift i huaj.
“Për këtë Shën Valentin ne kemi rezervuar këtë udhëtim për Kosovë dhe do të kemi darkë në një restorant këtej diku”, deklaroi Joaquin. Ndërsa bashkëshortja e tij tha se “Unë i kam marrë dhuratë dy byzylykë të vogël, dhurata të vogla, kjo është e tëra për ditën e Shën Valentinit”.
Një tjetër qytetar tha për Ekonomia Online, se këtë vit do ta festojë me vonesë për shkak se është larg bashkëshortes së tij. Ndërsa premtoi se të nesërmen do t’ia bëjë një dhuratë.
“Çdo gjë i kisha blerë gruas sime për Shën Valentin por e kam shumë larg se unë vij nga diaspora edhe jam me punë disa ditë këtu. Gruaja e meriton gjithçka, ka vlera të mëdha për familjen. Shën Valentini më i mirë ka viti kur është shpallë Pavarësia e Kosovës”, u shpreh ai.
Can Tahiri, një tjetër qytetar tha se gruas i ka dhënë para për ta blerë vetë dhuratën.
“I kam dhënë para, pare më shumë ka dashtë, e festojmë Shën Valentinin. Unë i jap pare e ajo e zgjedh vet më së miri mos me pas konflikt”, u shpreh ai.
Edhe Bardhyl Rexhepi tregoi se që nga paslufta e feston Shën Valentinin.
“Na kemi filluar dikur pas luftës me festu Shën Valentinin, e pasi i kam goxha disa vjet gati si njësoj kanë qenë të gjitha”.