Një deputete e disa këshilltarë politik priten të dënohen nga AKK-ja për mosdeklarim të pasurisë

Prishtinë | 30 Sht 2023 | 08:46 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, i ka thënë Ekonomia Online se në fillim të muajit tetor do të fillojnë me shqiptimin e gjobave ndaj zyrtarëve publik për mosdeklarim me kohë të pasurisë.

Më shumë se 30 zyrtarë nuk kanë arritur ta deklarojnë pasurinë me kohë, me ç’rast do të pasohet gjoba nga AKK-ja. E pozita më e lartë që ky institucion do të shqiptojë gjobë është e deputetit, pasuar nga këshilltarë të brendshëm e të jashtëm.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kreu u AKK-së ka thënë se nga faza e rregullt rezultojnë 12 zyrtarë që nuk e kanë deklaruar me kohë pasurinë, ndërsa tek zyrtarët e rinj janë rreth 20 të tillë që nuk e kanë kryer obligimin që e kanë ndaj këtij mekanizmi.

“Nga ky vit, ligji na e mundëson krijimin e mekanizmit të shqiptimit të gjobave, të cilët lidhen më vonesat për deklarim të pasurisë, këtë vit kemi pasur dy faza të deklarimit të pasurisë; e para ka qenë faza e deklarimit të rregullt të pasurisë, ku kemi pasur rreth 12 zyrtarë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë me kohë dhe e kemi fazën e dytë ku janë zyrtarët e rinj që i janë shtuar listës së 5 mijë zyrtarëve, lista tash ka 10 mijë zyrtarë që deklarojnë pasurinë, e aty i kemi edhe rreth 20 zyrtarëve të cilëve do të ia shqiptojmë gjobat, jemi vonuar pak në shqiptim të gjobave, sepse është dashur të krijojmë mekanizmin ligjor për shqiptimin e gjobave, është dashur që të marrim kodet e duhura buxhetore, është dashur që të trajnojmë stafin i cili i regjistron dhe i shqipton këto gjoba, tashmë kemi kapacitete operacionale dhe së shpejti do t’i shqiptojmë këto gjoba”, ka thënë Buleshkaj.

E për shumën e shqiptuar për këta zyrtarë do të jetë 30 për qind e pagës por jo më shumë se 500 euro. Buleshkaj ka thënë se ekziston mundësia që gjoba të paguhet përgjysmë, nëse e njëjta arrin të paguhet brenda 15 dite.

“Gjoba është 30% e pagës së zyrtarit por jo më shumë se 500 euro, në qoftëse kemi një zyrtar që e ka pagën 1500 euro maksimumi, nëse e ka më shumë se 1500 atëherë prapë do të jetë ai maksimumi 500 euro, është një gjobë e balancuar në baze të pagës që gjeneron nga sistemi shtetëror i Kosovës, në bazë të ligjit për kundërvajtje kemi aftë prej 15 ditëve për t’a paguar gjobën, ngjashëm më gjobat që shqiptohen në trafik, për 15 ditshin e parë ajo përgjysmohet e pastaj në qoftëse nuk e paguan është gjoba e plotë, neqoftë se hasim probleme në zbatim, ne do t’i drejtohemi edhe mekanizmit ligjor të përmbarimit, për të siguruar që do t’i mbledhim të gjitha këto”, ka thënë tutje ai.

“Hapat e parë besoj në fillim të muajit tetor, fillimi i muajit të ardhshëm vetëm do t’i njoftojmë këta zyrtarë për shqiptim të gjobave, sepse dëshirojmë që ta përfundojmë gjithë procesin brenda këtij viti, i kemi tre muajt e fundit të vitit dhe besojmë që deri në fund të vitit do të realizojmë edhe mbledhjen e fondeve edhe bartjen e tyre në buxhetin e Kosovës, do të thotë jemi në fazën finale, jemi paralelisht duke zhvilluar shumë procese. Ligji i ri i cila ka ndryshuar mandatin e agjencisë, na ka jep disa fuqi të reja, bëjmë shqyrtimin e ligjeve për masat Kundër Korrupsion, ai ligj i obligon institucionet për nxjerrjen e planeve të integritetit, të cilat pastaj mund të ruhen nga ne se si po zbatohen, po ashtu është një element shumë i rëndësishëm strategjia e Kosovës”, u shpreh Buleshkaj.

“Për gjobat kemi një deputet e cila është niveli më i lartë i gjobës, e cila nuk ka arritur ta bëjë deklarimin me kohë, të gjitha pozitat e tjera janë pozita qoftë të këshilltarëve apo më të ulëta, nuk ka ndonjë pozitë shumë të lartë, ka këshilltarë të jashtëm kryesisht. Janë një numër i madh i tyre, pra nuk ka ndonjë pozitë tepër të lartë”, u shpreh tutje Buleshkaj.

Të ngjashme