Një ditë para nisjes së mësimit, Zemaj fton nxënësit për respektim të masave anti-covid

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor ka ftuar për kujdes të shtuar nga nxënësit në këtë fazë të ndjeshme që aktualisht gjendemi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Zemaj thotë se respektimi i rregullave të rekomanduara do të sjellë vit të suksesit, për shëndetin e nxënësve, për prind dhe për arsimtarët.

Ky është postimi i plotë i Zemajt:

Prindër të dashur, familjarë të nxënësve,

Nesër është ditë shumë e rëndësishme për më të dashurit tanë, nxënësit. Po fillon Viti i ri shkollor.
Nga këtu, nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ku unë fillova ditën e parë të shkollës, kërkoj nga Ju, ta shtoni kujdesin për nxënësit, fëmijët tuaj edhe në këtë fazë të ndjeshme.

Ju lus që t’i inkurajoni ata për kujdes të shtuar gjatë shkuarjes dhe ardhjes nga shkolla dhe vazhdimisht, të respektojnë rregullat për pengimin dhe luftimin e pandemisë.

Respektimi i këtyre rregullave, do të sjell vit të suksesit edhe në mësim nxënie, edhe për shëndetin e nxënësve, për ne si prind dhe për arsimtarët.

Covid-19 tashmë është mes nesh, duhet të kemi kujdes, duke iu përmbajtur rekomandimeve, ne duhet të vazhdojmë me sukses mësimin në shkolla, të fitojmë edhe betejën kundër virusit e gjithsesi edhe betejën për dije.

Mësimdhënës të çmuar, prindër dhe nxënës të dashur, urime fillimi i Vitit të ri shkollor!

Bashkë mund t’ia dalim!

Vendose maskën!
Mbaje higjienën!
Ruaje distancën!

#QeveriaHoti

Të ngjashme