Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Prizrenit, ku një foshnjë e porsalindur është gjetur pa shenja jete, në afërsi të Parkut të Qytetit.
Rastin për medie e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se trupi i pajetë është gjetur në afërsi të Parkut të Qytetit.
Ai tha se dyshimet e para janë për vrasje. Kështu rasti është hapur “Vrasje e foshnjës së porsalindur”.
“Policia në Prizren ka pranuar një informatë se në afërsi të Parkut të Qytetit, nga një dëshmitar okular, gjendet një trup i pajetë që bëhet fjalë një foshnjë”.
“Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm, njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”.
“Po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës ku mjeku ka konstatuar vdekjen e foshnjës. Me këtë rast po merrren hetimet rajonale dhe po trajtohet si ‘Vrasje e foshnjës së porsalindur’, në konsultim me Prokurorin e Shtetit kështu do të fillojnë hetimet dhe po trajtohet si rast i kësaj natyre”, tha zëdhënësi Gashi.