Një gjeneratë tjetër me shumë potencial e futbollistëve shqiptarë në Zvicër

Prishtinë | 28 Shk 2020 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Elis Isufi ka debutuar të enjten në Ligën e Evropës dhe ka rritur praninë shqiptare në skuadrën e madhe zvicerane të futbollit, Basel. Isufi po ashtu ka konfirmuar se në Zvicër po del një gjeneratë tjetër e futbollistëve shqiptarë me shumë potencial.

Janë rreth dhjetë lojtarë të moshës së përafërt me Isufin që këtë edicion po fitojnë për herë të parë hapsirë në skuadrat e Superligës së Zvicrës. Numri më i madh i tyre është te Baseli, prej të cilit klub kanë dalë edhe dy futbollistët më të suksesshëm shqiptarë, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

Te Baseli kanë luajtur edhe futbollistë tjerë shqiptarë ndërsa aktualisht janë Taulant Xhaka, Edon Zhegrova e Kemal Ademi. Janë po ashtu të rinjtë: Elis Isufi (19-vjeçar), Orges Bunjaku (18-vjeçar), Jozef Pukaj (20-vjeçar) e Tician Tushi (18-vjeçar). Të gjithë këta janë pjesë e grupmoshave të reja të Zvicrës.

Për ekipin e parë të Baselit tashmë kanë debutuar Bunjaku e Isufi ndërsa Pukaj e Tushi janë fare pranë debutimit.

Elis Isufi ka luajtur një ndeshje për Kupë të Zvicrës më herët, ndërsa të enjten mbrëma luajti në Ligën e Evropës. Baseli fitoi 1:0 ndaj APOEL Nikozisë dhe kaloi në një të tetën e finales.

“Elis Isufi ka qenë i guximshëm dhe i vëmendshëm. Ka luajtur shumë mirë “, ka thënë trajneri i Baselit, Marcel Koller.

Baseli njihet si klub që beson shumë te lojtarët e rinj. Shumë prej lojtarëve që bëjnë karrierë te Baseli depërtojnë në nivel të lartë. Vlerësohet se edhe shkollën e ka shumë të zhvilluar. Te Baseli janë duke u zhvilluar edhe shumë futbollistë tjerë shqiptarë. Kështu që emra të rinj shqiptarë do të dalin në skenë në vitet e ardhshme.

Por futbollistë shqiptarë po dalin edhe nga klubet tjera zvicerane.

Lorik Emini këtë edicion ka luajtur tri ndeshjet e para në Superligën e Zvicrës me Luzernin. Emini është 20-vjeçar dhe po rritet si lojtar përkrah Idriz Vocës e Shkëlqim Demhasajt, dy reprezentuesve të Kosovës.

Liridon Mulaj (21) këtë edicion i ka shtatë ndeshje në Superligë për Xamaxin. Ai kishte luajtur dy ndeshje edicionin e kaluar, por këtë edicion po ka hapësirë dukshëm më të madhe.

Kastriot Imeri është një tjetër futbollist shqiptar që për herë të parë po luan në elitën e Zvicrës. Në tri edicionet e kaluara ai kishte luajtur në kategorinë e dytë zvicerane me Servetten. Tani po luan në Superligë me të njëjtën skuadër, ndërsa ka një gol e dy asistime në 14 paraqitje. 19-vjeçari fundjavën e kaluar shënoi golin e parë, raporton Koha.net

Lavdim Zumberi (20) është pranë ekipit të parë të Zuerichut, kurse Betim Fazliji po shkruan histori me St. Gallenin. 20-vjeçari ka dy gola në 14 paraqitje. St. Galleni nuk ka humbur asnjë ndeshje në të cilën është paraqitur Fazliji. Madje kishte fituar 13 të parat, por fundjavën e kaluar u ndal në barazim.

“Po zhvillohem mirë dhe kjo është me rëndësi. Sa i takon ndeshjeve pa humbje, ne fitojmë bashkë dhe humbim bashkë. Kam pasur disa ndeshje të mira këtë edicion dhe shpresoj të vazhdojë njëjtë”, ka thënë Fazliji për Koha.net.

Numri i madh i shqiptarëve në Zvicër bënë që prej këtij vendi vazhdimisht të dalin futbollistë shqiptarë. Prej numrit të madh të futbollistëve shqiptarë në Zvicër përfiton Zvicra, por edhe Kosova e Shqipëria.

Të ngjashme