“Një grua u shtyp nga turma, nuk do e harroj kurrë”, traumat e familjeve afgano-amerikane

Prishtinë | 27 Gus 2021 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Dy familje afgano-amerikane, të cilat ndodheshin në Afganistan kur ra qeveria e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, rrëfejnë peripecitë e udhëtimit të tyre të frikshëm nga aeroporti i Kabulit në Amerikë. Korrespodenti i shërbimit afgan të Zërit të Amerikës, Mohammad Ahmadi u takua me familjet dhe përgatiti këtë material.

Herawi kishte shkuar në Afganistan tre muaj më parë për të vizituar babain e sëmurë.

Ajo është shtetase amerikane me banim në Tenesi, por shprehet e shqetësuar për sigurinë e miqve dhe të familjes, prandaj nuk do t’i duket fytyra në ekran. Herawi tregon se u detyruan të ndërprisnin udhëtimin para kohe dhe të shkonin me ngut në aeroportin e Kabulit pasi ra papritur qeveria afgane.

Iu deshën gati 24 orë për të arritur në aeroport përmes postblloqeve të talebanëve dhe turmave të mëdha.

“Kur arritëm pranë hyrjes së aeroportit, zona kontrollohej nga talebanët, të cilët nuk po i lejonin njerëzit të futeshin. Ata qëllonin me armë, i rrihnin njerëzit. Shumë njerëz mbetën të plagosur. Pas shumë përpjekjesh, arritëm te porta e dytë dhe pasi kishim pritur rreth katër orë, dolën 400-500 trupa amerikane. Për fat të mirë, unë jam qytetare amerikane dhe kisha me vete pasaportën dhe dokumentet, prandaj na lanë të futemi në aeroport,” tregon Herawi.

Ajo thotë se turma e njerëzve që prisnin për t’u larguar që t’u shpëtonin talebanëve, po pushtohej nga dëshpërimi.

“Kur po përpiqeshim të hynim në aeroport, një grua e shtrirë përtokë u shtyp nga turma. U përpoqa sa munda për ta shpëtuar, por për fat të keq, nuk arrita. Mbaja vajzën në krahë. Nuk do ta harroj kurrë atë moment,” thotë Harawi.

Të ngjashme