Një grup deputetësh nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike kane shkuar në selinë blu, ndërsa sot është afati i fundit i vendosur nga ta që kryetari Lulzim Basha të lirojë zyrën e tij.
Flamur Noka, Edmond Spaho, Luan Baci, Tritan Shehu kanë shkuar në selinë e PD ku kanë tentuar që të hyjnë në seli përmes derës kryesore, por kanë parë se ajo ka qenë e mbyllur.
Më pas ata kanë kërkuar informacione nga gazetarët, nëse këta të fundit janë futur apo jo në seli. Fill pas këtij veprimi, deputetët kanë provuar që të hyjnë në seli edhe nga dyert e tjera që ndodhen nga pas, por dhe ato kanë qenë të mbyllura.
Noka: Nga hyhet se qenka mbyllur dera? A keni hyre brenda ju?
Teksa u pyet nga gazetari i ‘News24’ Osman Stafa nëse kishin ardhur në seli për të provuar dyert, Noka tha se kishte qenë pikërisht ai dhe zoti Berisha që kishin firmosur që kjo godinë t’i kalonte PD-së.
“Kjo seli me firmën time e të Sali Berishës ka qenë. Kam ardh për të hyrë në seli ku jam deputet prej sa vitesh e anëtar i kësaj partie që në themelim”, tha Noka.
“Erdhëm në seli, në shtëpinë tonë, për të zhvilluar një takim dhe një mbledhje në lidhje me agjendën që do të ketë grupi parlamentar dhe PD-ja për vitin 2022. Sot, PD-ja do të duhet të ishte një ambient festiv ku të gjenin veten të gjithë demokratët. Për fat të keq, Edi Rama e ka kthyer me pengun e tij, në një Alcatraz të kohëve moderne. Të gjitha dyert e mbyllura, gjithçka e blinduar, a thua se e ka kthyer PD-ja në një burg të sigurisë së lartë. Kjo është e turpshme, e neveritshme”, tha Noka, pasi ai dhe disa deputetë të tjerë të PD-së i gjetën të mbyllura të gjitha dyert për t’u futur në seli.
“Pengu i Edi Ramës mund të rrijë i vetëburgosur, si mënyra më e mirë që Rama të zgjasë jetën e pushtetit. Por Rama e ka gabim, kurrë nuk mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve. Në datën 8, demokratët do të marrin frymë lirisht”.