(Recension: Ragip Sylaj, “Hiri i fjalës”, poezi, Ferizaj, 2014)
Duke lexuar vëllimin me poezi “Hiri i fjalës”, të autorit Ragip Sylajt, njihemi me një zhanër estetik i cili nuk është i pashkputshëm nga ligjësitë e tij. Poezitë e Ragipit kanë shumë estetikë sepse, ndërmjet kodit poetik që ka brenda vetes, i aktualizon disa tema dhe probleme, sa karakteristike, po aq edhe interesante për fushën e mendimit teorik, kritik dhe letrar.
Libri “Hiri i fjalës” në vitin 2014 fitoi çmimin e parë në konkursin letrar të Klubit Letrar “De Rada” në Ferizaj. Libri është i ndarë në katër njësi të mëdha.
Njësia e parë titullohet “Iluminim” dhe përmban poezitë: “Si shkruhet libri i pamundësisë”, “Arketip bukurie”, “Si të shkoj në veri”, “Uria e lirisë”, “Përhitje” dhe “Bisedë me demonin”.
Njësia e dytë titullohet “Fundi i ankthit” dhe përmban këto poezi: “Këngë të ankthshme” dhe “Letrat” (Letër babës, Letër nanës, Letër vëllait-Bujarit, Letër A-së, Letër një miku në Preshevë, Letër një miku në Grac).
Njësia e tretë titullohet “Pëlcitje zbrazëtie” dhe përmban këto poezi: “Kopshti zoologjik (kali, lopa, viçi, gomari, dragoi, ujku, qeni, peshku, delja, derri) dhe “Absurd i përkryer” (dashuria, zhgënjimi, absurdi, vdekja, minotauri).
Njësia e katërt titullohet “Kryehimn” dhe përmban këto poezi: “Ishullimi”, “Kërkim”, “Luli i madh”, “Mjeshtri i kurtheve”, “Lotoi ylli im”, “Zdrukthëtarët”, “Shndërrim”, “Alegro”, “Madrigal”, “Kryehimn për gruan” dhe “Në kërkim të vetes”.
Pozia hyrëse, “Letër emnakut”, kap njërën ndër çështjet më të rëndësishme të personalitetit të poetit, por edhe të njeriut në përgjithësi, gjakimin e pareshtur të njeriut që ta njohë të panjohurën, te vetja dhe te tjetri. Kjo është njëfarë dore edhe rruga e zhvillimit të mendjes njerëzore. Poeti në këtë poezi gjithmonë është i mendimit se njeriu formohet edhe si ndikim i tjetrit, pra “tjetri” ka shumë rëndësi për krijimin e botës dhe gjithçka që lidhet me të. Këtë më së miri autori na e jep në poezinë e parë, në rreshtat e parë, në faqe 7:
Merre me mend të ecja gjurmëve tua
Do të isha më afër plakjes
Të ecje udhëve të mia
Do të ishe më afër përflakjes
Të ishe brenda lëkurës sime
S’di sa do ta doje veten, (f. 7).
Titulli i poezisë “Si të shkruhet libri i pamundësisë” paraqet një lloj metafore nëpërmjet së cilës autori shënon pamundësinë e lidhjes me botën dhe komunikimit me të.
Simbolizimi i ambientit, kryesisht i ambientit familjar, që lidhet ngusht me fëmijërinë dhe zhvillimin e poetit, të lë mbresa të forta në vetëdije, pastaj i pjesëve të ndryshme të ligjëratës është një përpjekje që cikli të çohet në një sistem shenjash të cilat janë të lidhura organikisht.
Poeti “Letrat” i ka të llojeve të ndryshme, varësisht prej gjendjes emocionale. Pra, vetmia, malli, vendlindja janë baza emocionale mbi të cilën janë shkruar këto poezi.
Në ciklin “Pëlcitje zbrazëtie” autori na jep disa poezi ndërmjet krijimeve të këtij lloji, “Kopshti zoologjik” dhe “Absurd i përkryer”. Ai na tregon në mënyrë paradoksale se ndërmjet këtyre dy tablove ndërtohet ekzistenca njerëzore.
Poezitë e ciklit “Kopshti zoologjik” (kali, lopa, viçi, dragoi, gomari, ujku, derri, qeni, delja, peshku) strukturohen mbi problemet, dilemat dhe kundërthëniet. Me një fjalë, mbi fatin e ekzistencës njerëzore. Kështu, në poezinë “Kali” shtrohet kundërthënia ndërmjet realitetit objektiv dhe realitetit fiktiv, ndërmjet reales dhe ideales. Ja:
Më kali se kali është ai kali që s’di të sillet si kali
Dhe që e bart nofkën e budallait (f. 49).
Përveç kësaj, autori në ciklin “Absurd i përkryer” na jep temat të cilat mjaft mirë i ka lëvruar, si: dashuria, zhgënjimi, absurdi, durimi, vdekja, minotauri. Kështu pra, ai ka dhënë kontraste, respektivisht kundërvënie për krijimin e botës me të dhe module të kësaj natyre.
Dhe, njësia e katërt “Kryehimn” përmban disa poezi që janë shumë interesante për mënyrën se si janë krijuar, shembull: “Mjeshtri i kurtheve”.
Pra, mund të përfundojmë se libri me poezi “Hiri i fjalës, qoftë me zgjedhjen e tematikës, pra me sistemin e saj përmbajtjesor, qoftë me realizimin e saj artistik a sistemin e tij shprehës, besojmë se ka dhënë një shkallë të lartë receptimi për publikun tonë lexues.