Një i arrestuar, veturë, armë e fishekë të sekuestruar: Policia jep detaje shtesë për vrasjen në Podujevë

Prishtinë | 12 Sht 2023 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, është deklaruar sërish rreth ngjarjes së rëndë që ndodhi dje në Podujevë, ku mbeti i vrarë një person dhe mbeti e plagosur gruaja e viktimës.

PK-ja ka njoftuar se në lidhje me këtë rast është arrestuar një person, mashkull kosovar, nën dyshimin se ai është i përfshirë në kryerjen e kësaj vepre së bashku me të dyshuarin tjetër i cili ka kryer vrasjen dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Përveç kësaj, në lidhje me këtë rast, policia ka bastisur shtëpinë e të arrestuarit, ku edhe ka gjetur e konfiskuar armë, katër karikatorë, fishekë, dhe një veturë me targa të huaja.

I njëjti, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

VRASJE E RËNDË NË BASHKËKRYERJE

Podujevë 11.09.2023-12:20. Lidhur me rastin, pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore dhe ekipi i emergjencës kanë vazhduar në lokacionin e cekur me ç’rast në vendngjarje është konstatuar se viktima mashkull kosovar ishte pa shenja jete, ndërsa viktimës femër  pasi i është dhënë ndihma mjekësore është dërguar për hospitalizim në QKUK. Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të  personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën procedurë hetimore.

Të ngjashme