Një inaugurim i riformësuar nga kërcënimi për sigurinë

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 10:16 | Nga Ekonomia Online
Në njëfarë mënyre, inaugurimi do të jetë pak a shumë i njëjtë me të mëparshmit – Bideni do të bëjë betimin në shkallët e ndërtesës së Capitolit dhe pastaj do të marrë rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. Por krejt kjo ngjarje do të zhvillohet vetëm dy javë pasi mbështetësit e presidentit Donald Trump ia mësynë Capitolit – dhe do të shënohet në mes të një pandemie – andaj ndryshimet do të jenë të shumta

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, do ta bëjë betimin për nisjen zyrtare të detyrës mesditën e së mërkurës, me anë të një ceremonie të veçantë në kryeqytetin Washington DC.

Në njëfarë mënyrë, inaugurimi do të jetë pak a shumë i njëjtë me të mëparshmit – Bideni do të bëjë betimin në shkallët e ndërtesës së Capitolit dhe pastaj do të marrë rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. Por krejt kjo ngjarje do të zhvillohet vetëm dy javë pasi mbështetësit e presidentit Donald Trump ia mësynë Capitolit – dhe do të shënohet në mes të një pandemie – andaj ndryshimet do të jenë të shumta.

Në vijim është një rishikim i thellësishëm i masave që janë zbatuar për t’i trajtuar shqetësimet përherë më të mëdha rreth sigurisë dhe COVID-19.

Zbarkimi i trupave në Washington

Ende po shtrohen pyetje rreth asaj se si turma ishte në gjendje që ta bastiste Capitolin më 6 të janarit, duke lënë të vdekur pesë persona, teksa FBI-ja ka paralajmëruar edhe protesta të tjera të armatosura – andaj nuk është befasi që masat e sigurisë janë shtrënguar aq shumë gjatë ditëve të fundit.

Inaugurimet janë paracaktuar të jenë një “Ngjarje e sigurisë së posaçme kombëtare”, që do të thotë se shërbimet sekrete amerikane e kanë në duart e tyre të gjithë komandën, por kësaj radhe ata mbështeten në këtë ndërmarrje nga një përzierje e shtuar forcash, duke përfshirë edhe Departamentin Metropolitan të Policisë së kryeqytetit dhe Gardën Kombëtare.

Pjesëtarët e Gardës Kombëtare kanë nisur të vendosen në Capitol gjatë javës së shkuar dhe krejt deri në fund, rreth 25.000 syresh, pritet që të përfshihen në ndërmarrjen e sigurisë. Ishin rreth 8.000 sosh në inaugurimin e Trumpit më 2017.

Pentagoni ka dhënë aprovimin që disa prej këtyre trupave të jenë të armatosura, teksa një numër i tyre që janë stacionuar në Capitol janë fotografuar të pajisur me pistoleta apo pushkë gjysmautomatike.

Shtrëngimi i kufizimeve të udhëtimit

Image

Një prej roleve qendrore të gjithë këtij personeli do të jetë që të krijojë me dhjetëra bllokada rrugore përreth qendrës së qytetit, përfshirë disa ura kryesore mbi lumin Potomac.

Qasja në qytet do të jetë e kontrolluar. Qytetarëve apo bizneseve do t’u lejohet qarkullimi vetëm përreth “zonës së gjelbër” të jashtme derisa “zona e kuqe” do të jetë e kufizuar vetëm për automjete të autorizuara.

Me dhjetëra stacione të metrosë janë mbyllur tashmë.

Derisa protestuesit pro-Trump pritet se do të tentojnë që të depërtojnë në qytet nga çdo cep i vendit, kompanitë e udhëtimeve gjithashtu kanë zbatuar disa masave të veçanta.

Kompania e qiradhënies së shtëpive “Airbnb” ka anuluar rezervimet në Washington gjatë periudhës para dhe pas inaugurimit, siç kanë bërë edhe zinxhirët e hoteleve lokale.

Aviokompanitë dhe aeroportet kanë ashpërsuar masat e sigurisë, me ç’rast shumë prej transportuesve kryesorë ua kanë ndaluar pasagjerëve udhëtimet me armët e kaluara në bagazhet e tyre. Ndërkaq disa prej protestuesve që ishin të pranishëm në Capitol janë përfshirë në listat e ndalim-fluturimeve.

Amtrak, kompania amerikane e metrove, gjithashtu ka njoftuar për kufizimin e shërbimeve në rajon dhe se pasagjerët do të përballen me më shumë policë nëpër trena dhe në stacione.

Bideni, i cili i përdor shpesh linjat e Amtrakut, kishte shpresuar që gjatë të hënës në Washington të udhëtonte me tren nga vendlindja e tij Wilmington në Delaware, por ka ndryshuar planin shkaku i shqetësimeve të sigurisë.

Anashkalimi i Bidenëve nga Trumpët

Image

Në mëngjesin e 20 janarit Donald dhe Melania Trump do të largohen nga Shtëpia e Bardhë si presidenti dhe zonja e Parë, por përpara kësaj ata nuk do t’i ftojnë aty brenda pasuesit e tyre, Joe dhe Jill Biden.

Anashkalimi i ritualeve ndër më të gjata të transferimit të pushtetit në Amerikë është një prej shpërfilljeve më të mëdha që Trumpët janë duke synuar teksa largohen nga Washingtoni.

Në vend të një presidenti dhe zonje të parë, Bidenët do të mirëpriten në Shtëpinë e Bardhë nga kryepunonjësi i shërbimit shtëpiak, Timothy Harleth, kanë bërë të ditur burimet e afërta me planifikimin e ngjarjes. Harlethi, i punësuar nga Trumpi prej mesit të stafit të “Trump International Hotel” në Washington, sipas të gjitha gjasave, nuk do ta vazhdojë punën me administratën Biden.

Deri në largim ai do të kujdeset për rregullimin e gjithçkaje për çiftin e ri presidencial. Vëmendje e veçantë në këtë mes u kushtohet dhomave të gjumit, e për dallim prej çiftit në largim, Bidenët do ta kenë një dhomë të përbashkët gjumi.

Melania Trump kishte kaluar shumicën e kohës në Shtëpinë e Bardhë në një suitë të madhe gjumi, të rezervuar rëndom për presidentët dhe bashkëshortet e tyre.

Ceremonia e njëjta, por ndryshe

Presidentët në ardhje janë rëndom të interesuar që të shtojnë numrin e personave që marrin pjesë në ceremonitë e tyre të inaugurimit, por i këtillë nuk do të jetë rasti sivjet.

Edhe para sulmit në Capitol më 6 janar, komiteti inaugurues i Bidenit u kishte kërkuar mbështetësve që të qëndronin brenda shtëpive shkaku i frikës se tubimi tradicionalisht masiv në National Mall do të mund të shndërrohej në një ngjare të superpërhapjes së koronavirusit.

Pamjet e skenës së përgatitur në krahun perëndimor të Capitolit përbëjnë një demonstrim se sa ndryshe do të jetë ngjarja e sivjetme, me rreth 100 karrige të përhapura në largësi të konsiderueshme prej njëra-tjetrës për t’ua mundësuar mysafirëve të paktë ruajtjen e distancës fizike.

Këta mysafirë do të bartin të gjithë maska mbrojtëse dhe gjithsecilit do t’i kërkohet që ta kenë testin negativ për COVID-19 të kryer qysh para ngjarjes. Nuk do të ketë mbështetës të shumtë të rreshtuar para Bidenit, në një kontrast të theksueshëm prej turmës më se dymilionësh të qytetarëve të mbledhur kur presidenti Barack Obama kishte bërë betimin për mandatin e tij të parë më 2009-n.

Shërbimi i National Park ka njoftuar javën e shkuar se e gjithë hapësira do të mbyllet për publikun shkaku i shqetësimeve për sigurinë. Në vend të kësaj, rreth 200.000 flamuj do ta mbushin një pjesë të hapësirës.

Vetë ndërtesa e Capitolit do t’i ngjasojë më tepër një fortese sesa shtëpisë së politikanëve të Amerikës, me një rrethojë të ngritur përreth perimetrit të saj e të cilin sekretari i ushtrisë, Ryan McCarthy, e përshkroi si “të pakapërcyeshëm”. Mburoja të ngjashme do të ngrihen edhe përreth Shtëpisë së Bardhë.

Pasi që ta bëjnë betimin, presidenti Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris do t’ia mësyjnë krahut lindor të Capitolit, do të marrin pjesë në ceremoninë tradicionale të “pranim dorëzimit”, në të cilin kryekomandanti i ri do t’i inspektojë trupat. Pas kësaj normalisht do të mbahej parada tradicionale përreth Bulevardit Pennsylvania, me ç’rast një autokolonë do ta bartte presidentin drejt Shtëpisë së Bardhë derisa turma do të brohoriste përskaj rrugës.

Kjo gjë sivjet është larg mendsh, për shkak të COVID-19 dhe rrezikut të lartë për dhunë.

Në vend të kësaj Bideni do të udhëtojë përreth lumit Potomak për të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorave me lule në varrezat e Arlingtonit, më të mëdhatë në vend për personelin ushtarak.

Ai pritet që të shoqërohet nga ish-presidentët Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton – por jo edhe nga Donald Trumpi, i cili do ta thyejë traditën dhe t’i anashkalojë të gjitha ngjarjet e ditës së inaugurimit.

Pastrimi i thellë i Shtëpisë së Bardhë

Image

Kur Bideni të përfundojë punën në Arlington, autokolona që do ta barttë presidentin e 46-të të SHBA-së do të marrë udhë përgjatë postblloqeve drejt Shtëpisë së Bardhë, ku dhe ai do ta nisë mandatin e tij.

Ngrehina ishte bërë vatër e disa shpërthimeve të koronavirusit gjatë 12 muajve të fundit, me ç’rast edhe vetë presidenti Trump ishte dërguar në spital shkaku i virusit në tetorin e shkuar.

Kjo do të thotë se gjithçka, nisur prej parmakëve e deri te pullat e ashensorit e aksesorët e banjave, do të pastrohen thellësisht dhe të dezinfektohen para se administrata Biden të vendoset aty, ka njoftuar Agjencia Federale që i mbikëqyr punët e mirëmbajtjes së shtëpisë.

Meqë krejt ndërtesa është e përbërë nga gjashtë kate dhe 132 dhoma, dezinfektimi i gjithçkaje do të jetë një ndërmarrje titanike për t’u arritur në kohën ndërmjet largimit të stafit të fundit të Trumpit dhe arritjes së presidentit Biden dhe ekipit të tij.

Kur Bideni të vendoset, ai do ta ketë një agjendë më të relaksuar në mbrëmje sesa që normalisht ka një president i ri. Falë COVID-19 dhe shqetësimeve të sigurisë, ballot dhe ahengjet pasuese tradicionale janë anashkaluar sivjet dhe janë zëvendësuar me një koncert virtual, nikoqir i të cilit do të jetë aktori Tom Hanks.

Të ngjashme