Një ish-pjesëtar i ushtrisë së Sllovakisë ka pranuar të premten para hetuesve vrasjen e gazetarit, Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, në rastin që dridhi Sllovakinë një vit më parë, kanë raportuar mediat sllovake.
Miroslav Marcek dhe tre persona të tjerë – që të tre në arrest – janë paditur lidhur me vrasjet, të cilat nxitën zemërim të madh dhe ndryshime politike në vend, ka raportuar “BBC”.
Kuciak dhe Martina Kusnirova, që të dy 27 vjeç, janë gjetur të vdekur gjatë shkurtit të vitit 2018. Prokuroria ka paditur një afarist sllovak, Marian Kocner, për organizimin e vrasjes së Kuciakut.
Gazetari dhe e fejuara e tij u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Velka Maca, një fshat 65 kilometra në lindje të kryeqytetit sllovak, Bratislavë. Para se të vritej, Kuciak po i hetonte lidhjet e pretenduara të afaristëve e politikanëve sllovakë me celulën famëkeqe mafioze të Italisë, ‘Ndrangeta, si dhe parregullsitë me subvencionet bujqësore të Bashkimit Evropian në vend.