Elba Kokaj e Klea Vrella janë skitaret që do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj, që në shkurt të vitit të ardhshëm mbahet në Sarajevë. Elba e Klea ende nuk janë emra të njohur të skijimit.
Në fakt, Kosova nuk e ka asnjë skitar apo skitare në nivelin e lartë të sportit kryesor dimëror. Por pjesë e elitës botërore të skijimit është një garuese që mban mbiemër shqiptar, mbiemër nga Kosova, shkruan sot Koha Ditore.
Bëhet fjalë për skitaren e njohur zvicerane Lara Gut, ish-fituesen e Kupës së Botës në skijim alpin. Gut tashmë është nuse e Kosovës, është martuar me futbollistin kosovar të Zvicrës, Valon Behrami dhe tash njihet si Lara Gut-Behrami. Me mbiemrin Gut-Behrami është e paraqitur në faqen zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Skijimit e po ashtu në faqet e tjera të internetit.
“Lara Gut do të garojë me një emër të ri pasi është martuar më herët këtë vit. Federata e Skijimit e Zvicrës ka thënë se ish-kampionia e përgjithshme e Kupës së Botës do të paraqitet si Lara Gut-Behrami në garat e këtij stinori. Gut është martuar me futbollistin Valon Behrami pasi ai u kthye nga Kupa e Botës ku luajti me Zvicrën. Të dy janë rritur në rajonin e Zvicrës ku flitet gjuha italiane, ndërsa Behrami luan në Itali për skuadrën Udinese. Ekipi i Zvicrës ka përmirësuar faqen e biografisë së Gutit në sajtin e Federatës Ndërkombëtare të Skijimit. 27-vjeçarja ka 24 fitore në Kupë të Botës, një medalje të bronztë olimpike në lëshim nga Sochi 2014 dhe pesë medalje në kampionatet botërore të skijimit”, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Gut-Behrami është prej emrave më të njohur të sportit të skijimit. Ajo garon në të gjitha disiplinat e skijimit alpin, ndërsa është e specializuar në ngjarjet e shpejtësisë, lëshim e Super-G.