Selman Ymeri, koordinator në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut më 8 shtator 2017, kishte konkurruar për pozitën Drejtor i Drejtorisë së Personelit për konkursin e shpallur nga administrata e Kuvendit.
Në pozitën e drejtorit tek tash në tetor është përzgjedhur Miradije Haziraj, pasi herën e parë kishte dështuar konkursi, raporton KTV.
Me këtë vendim është ndarë i pakënaqur kandidati Ymeri, pasi pretendon se pati parregullsi dhe shkelje të procedurave ligjore. Ai ka mbetur i habitur se si Kuvendi vazhdoi me procedurat e rekrutimit, ndonëse u ankua edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Por, në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës i kanë mohuar pretendimet e Selmanit.
Në anën tjetër, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili ka qenë edhe kryetar i Komisionit përzgjedhës në këtë konkurs, ka thënë se konfirmimi nga Këshilli tregon ligjshmërinë e procesit.
“Kandidatja e përzgjedhur është konfirmuar edhe nga KPMSHC-ja i Kosovës”, ka thënë Krasniqi në një përgjigje të shkruar për KTV-në.
Kurse, drejtoresha Haziraj nuk ka dashur të flasë lidhur me rastin duke thënë se nuk ka të drejtë të prononcohet për media.