Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë i ka nisur kërkesë për intervistim të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara për Afganistan, Zalmay Khalilzad, pasi bisedimet me talibanët janë anuluar papritur.
Përfaqësuesi, Eliot Engel, që drejton këtë Komitet, ka thënë se ai është “mërzitur” me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, të cilën e ka fajësuar për mbajtje të Khalilzadit larg ligjvënësve dhe publikut amerikan, andaj ka konsideruar se ata duhet të informohen për procesin e paqes, që synon t’i japë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk i është përgjigjur kërkesës për të komentuar këtë thirrje, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
“Ambasadori Khalilzad është këtu në Uashington, andaj mendoj se kjo është përgjigjja për pyetjen se ku është ai”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortaguas.
Seanca në Kongres e caktuar për 19 shtator vjen pasi presidenti Trump ka konsideruar “të vdekura” bisedimet për paqe në Afganistan, si dhe ka anuluar një takim të fshehtë me liderët e talibanëve në Kampin presidencial David në Merilland.
Vendimi i shpejtë i Trumpit ka zemëruar shumë anëtarë të Kongresit të cilët kanë shprehur pakënaqësi edhe ndaj refuzimit të kërkesave të tyre për të marrë informacione nga Khalilzad në muajt shkurt, prill dhe më herët gjatë shtatorit.
Përfundimi i luftës në Afganistan dhe dërgimi i ushtarëve amerikanë në shtëpi ka qenë një nga iniciativat kryesore të politikës së jashtme të Trumpit.
Ortagus ka thënë se tani për tani bisedimet janë ndalur, ashtu siç edhe ka deklaruar presidenti Trump.