Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka njoftuar përmes një postimi se në komunën e Morbach në landin Rheinland-Pfalz, ka fituar në zgjedhjet lokale, raporton Ekonomia Online.
Shqiptari nga Kosova, Arianit Besiri është zgjedhur kryetar i komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz.
Ai ka arritur 60% të votave në komunën me 11 mijë banorë.
“Kjo fitore shënon një precedent të rëndësishëm në historinë gjermane: një shqiptar nga #Mitrovica zgjidhet për herë të parë kryetar komune. Arianiti, i cili ishte vetëm një vjeç kur familja e tij u shpërngul nga Kosova si pasojë e represionit serb, ka arritur një sukses që frymëzon të gjithë shqiptarët.
I angazhuar prej vitesh në politikën gjermane, Arianiti ka qenë aktiv në kuadër të SPD-së dhe së fundmi duke shërbyer si bashkëpuntor shkencor tek deputeti Lars Castellucci, kryetar i Komisionit për Politikë të Brendshme në Bundestagun gjerman”, ka shkruar Ajeti.
Ai ka theksuar se fitorja e tij nuk është thjesht një arritje personale, por një mesazh i fuqishëm për diasporën shqiptare dhe brezat e ardhshëm se suksesi dhe përkushtimi nuk njohin kufij kombëtarë.
“Shqiptarët, kudo që ndodhen, mund të kontribuojnë në mënyrë të fuqishme në çdo nivel të shoqërisë. Urime Arianit! Një histori suksesi që na bën të gjithëve krenarë”, ka shkruar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti në postim.