Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për rifillimin e mbarë të prodhimit në gjigantin e madh ekonomik kosovar, ndërkohë që drejtori për Zhvillim Ekonomik në Drenas, Skender Hasi, tha se Komuna ka marrë konfirmimin nga “Ferronikeli” për rifillimin e prodhimit nga dita e hënë, shkruan sot, gazeta Zeri.
Pas një pushimi të gjatë mbi 6 muaj, duket se prodhimi në “Ferronikel”, në gjigantin e dytë më të madh kosovar, pas “Trepçës”, do të rifillojë nga dita e martë. Kështu të paktën ka lënë për t’u kuptuar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ndërkohë që është konfirmuar edhe nga drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Drenasit, Skender Hasi.
Derisa Nika ka qenë shumë i paqartë në një prononcim nëpërmes telefonit për gazetën “Zëri”, drejtori Hasi ka thënë se ka marrë një lajm të mirë nga ndërmarrja “Ferronikeli”, sipas të cilit prodhimi atje ka filluar të hënën. “Është një lajm i mirë që kemi marrë nga ‘Ferronikeli’, prodhimi atje ka filluar që nga sot (e hënë), u bë mirë sepse në të kundërtën mbi 1 mijë punëtorë do të kishin humbje të mëdha”, ka thënë Hasi, i cili ka precizuar se mbi 1 mijë punëtorë duke llogaritur edhe kontraktuesit do të kishin humbje vjetore prej mbi 4 milionë eurosh.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Drenasit, Skender Hasi, tha se Komuna ka marrë konfirmimin se punëtorët i janë kthyer punës, se atyre u janë dhënë kontratat dhe se gjithçka është mirë, ashtu edhe siç ka konfirmuar menaxhmenti i “Ferronikelit”. “Gjithçka është mirë, edhe vetë punëtorët e thonë këtë dhe ata janë të kënaqur që prodhimi do të rifillojë”, ka thënë mes tjerash drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Drenasit, Skender Hasi.