Klubi turk i futbollit Fenerbahçe ka njoftuar të mërkurën se një nga lojtarët dhe një anëtar i stafit mjekësor të klubit janë dërguar në spital për t’u testuar pasi kanë shfaqur simptome të Coronavirusit, gjatë testimit të skuadrës.
Javën e kaluar, Turqia pezulloi ligën e futbollit, duke marrë këtë vendim pas presionit në rritje nga klubet, lojtarët e trajnerët.
Në komunikatë, Fenerbahçe ka njoftuar se e gjithë skuadra është testuar të mërkurën për Coronavirus. Pjesë e Fenerbahçes është edhe ylli i Kosovës, Vedat Muriqi.
“ Një lojtar dhe një anëtar i stafit mjekësor janë dërguar në spital për teste të mëtutjeshme dhe për tretman”, ka njoftuar klubi i elitës turke.
Lajmi vjen vetëm dy ditë pasi trajneri i famshëm i futbollit Fatih Terim u diagnostikua me koronavirus dhe është duke u trajtuar në spital.
Në fundjavë, Fenerbahçe ka njoftuar se basketbollistët dhe anëtarët e stafit që kanë treguar simptome për koronavirus janë dërguar në spital për teste.