9 Maji është Dita e Evropës. Kjo ditë është zyrtarizuar si festë edhe në Kosovë, që nga pavarësimi i saj në vitin 2008.
Kjo datë pa dyshim së është një datë shumë e rëndësishme për Evropën pasi dihet së në këtë datë të vitit 1950, u hodhën hapat e parë për krijimin e bashkësisë që quhet Bashkimi Evropian. Ministri Francez i Punëve të Jashtme ishte ai që lexoi deklaratën para shtypit ndërkombëtarë dhe u bëri thirrje shteteve që të bashkonin prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut.
Shteteve të cilave u bëri thirrje ishin Franca dhe Gjermania. Ky moment mund të konsiderohet guri i parë i themelit për krijimin e një Federate të ardhshme Evropiane. Mund të themi se ishte një hap jo vetëm për zhvillim ekonomik, por edhe një pajtim midis këtyre dy shteteve, që i kishin shkaktuar njëra tjetrës shumë humbje njerëzore e dëme materiale gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore, pikërisht duke përdorur industrinë e qymyrit dhe çelikut si bazë të fuqisë ushtarake.
Disa vite më vonë, më 1985 në Samitin e Milanos, këta themelues largpamës vendosën, që data 9 maj të shënohet si një ngjarje me rëndësi historike për Evropën.
Por kjo ditë e ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë, atë të fitores mbi fashizmin në Evropë. Është pra dita e kapitullimit përfundimtar të Rajhut Nazist, dhe dita e çlirimit të popujve të Evropës nga shtypja fashiste e militariste e Boshtit.
Evropa e shteteve të pavarura e sovrane nuk do të kishte qenë e mundur të ishte kjo që është sot, pa këtë fitore mbi fashizmin. Pa këtë fitore nuk do të kishte qenë i mundur as krijimi i Bashkimit Evropian si bashkim i lirë dhe i vullnetshëm shtetesh.
Kosova pjesë e Evropës, por jo edhe e Bashkimit Evropian, feston zyrtarisht këtë ditë në institucionet shtetërore, për ta bindur veten se jemi pjesë e Evropës. Këto data zënë vend në kalendarin shtetëror.
Përveç 9 Majit, datë më rëndësi është edhe 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kjo ditë ka lindë si pasojë e kërkesave të punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës.
Kërkimi i këtyre të drejtave lidhet me kërkesat e të drejtave të punëtorëve të Çikagos, protesta e të cilëve ishin të thjeshta, si: kërkesa që orari i punës të jetë 8 orë; punë për page mesatare dhe pajisje për punë. Por këto kërkesa u mbytën me gjak, duke e kthyer këtë datë në ditë përkujtimi për atë gjakderdhje të madhe që u shkaktua vetëm pse punëtorët protestonin për liri e të drejta.
Pra ky fillim i majit na vë përpara këto ditë festive të ligjëruara nga shteti i Kosovës. Po qytetarët e Kosovës, çfarë të bëjnë? A janë të lirë këta qytetarë? A ka standarde liria dhe të drejtat? Kush i njeh këto standarde? Apo edhe standardet e lirisë dhe të drejtave kjo Evropë e Bashkuar me disa copa Evrope të pa bashkuara, i përcakton recetat sipas simpative?
Më lind e drejta t’i bëj këto pyetje, sepse dua të ndihem qytetar i lirë i Evropës së Bashkuar. Por Evropa siç duket nuk ka dëshirë, sepse meqë është mësuar të ketë koloni, i duket sikur janë kthyer kohët e vjetra të kolonizimit, më mirë të themi të kolonizimit mesjetar, se kolonizimi i mëvonshëm ka pasur të drejta për shtetasit e kolonizuar.
Ndërsa kolonia e BE që quhet Kosovë, çfarë të drejtash ka? Cili qytetar i Kosovës ka të drejta? Vetëm në qoftë se flitet për ata me pasaportë diplomatike, megjithëse edhe ajo prej arrestimit të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë, nuk është më e sigurt.
Ky lloj kolonizimi, që na e ka zëvendësuar Serbinë me një EULEX, duket se është bërthama e padrejtësisë së BE-së, për lëvizjen e lirë, pra mos liberalizimin e vizave për Kosovën më kushtet që ajo i ka vënë, që për qytetarët janë të pa njohura deri më tani. Vendi i vetëm në Ballkan që i mungon lëvizja e lirë mbetet Kosova.
A mos ndoshta u dashka thjeshtë të themi faleminderit që na ndërruat pushtuesin? Historia e BE-së nuk njeh ndonjë rast apo kushtëzim të shteteve që janë aktualisht pjesë e BE-së, sikur rasti i Kosovë që gjoja se mos përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi, është arsye e mos lejimit të lëvizjes së lirë. Por në historinë e BE-së ka shtete që e gëzojnë këtë privilegj, megjithëse nuk e kanë të zgjidhur çështjen e demarkimit.
Interesant është fakti, të festosh ditën e organizatës që nuk e njeh statusin e shtetit, pa dyshim është një veti morale që e dallon Kosovën pothuajse nga të gjitha vendet e tjera, që nëse veç nuk janë pjesë e BE-së, janë afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian është alternativë e vetme për Kosovën. Por kjo dashuri nuk duhet të jetë e njëanshme. Pra, ne ta duam e nderojmë Evropën e ajo të na trajtojë si skllevër. Kjo nuk është mirë, dashuria, respekti e konsiderata duhet të jetë e dyanshme. Ta duam Evropën dhe të na dojë Evropa. Ndryshe, kjo lojë politike e deritashme është një mashtrim i madh.
Por unë nuk kuptoj, si ka mundësi që me deklaratat e Ministrisë së punëve të jashtme Kosova është anëtarësuar disa herë në BE. Duke deklaruar se pranimi i Kosovës në BE, është çështje muajsh, javësh, ditësh dhe krejt në fund çështje orësh por një gjë e tillë akoma s’ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodhë.
Pra, duhet të sqarohemi Evropa luan me shtetin e Kosovës, a shtetarët tanë luajnë me qytetarët e vet?
Për shumë e shumë vjet festoftë Evropa datën 9 maj, Ditën e saj, por ajo është e dobët pa Kosovën, prandaj nuk duhet ta mashtrojë më tej.