NJë mëuese në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë ka rezultuar pozitive për virusin korona.
Këtë për GazetaBlic e ka konfirmuar edhe drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi.
“Një mësuese është konfirmuar se ka dalë pozitive për COVID-19. Ajo tashmë është vetë-izoluar. Përveç saj, edhe e gjithë klasa ku ajo ka vijuar punën është izoluar, derisa mësimi do të kalojë në skenarin C”, ka thënë Oruqi.
Që nga hapja e shkollave, e deri më tani, qindra nxënës dhe mësimdhënës kanë rezultuar pozitivë për virusin korona, duke bërë kështu disa shkolla të vendit të zhvillojnë mësimin në skenarin C.
Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por duke respektuar rekomandimet për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit: mbajtjen e maskës, distancës dhe higjienën personale.
Për këtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, tashmë ka përgatitur tre skenarë për mbarëvajtjen e procesit mësimor, që do zbatohen nga komunat, varësisht gjendjes epidemiologjike me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi.
Marrë parasysh në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 18.910. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.869.