Me përhapjen e shpejtë të virozave dimërore dhe të ashtuquajturës “super-grip” pas takimeve familjare festive, shmangia e sëmundjeve duket pothuajse e pamundur.
Megjithatë, sipas Dr. Sabine Donnai, mjeke e përgjithshme dhe eksperte e jetëgjatësisë, ekzistojnë hapa të thjeshtë, të mbështetur shkencërisht, që mund të ulin ndjeshëm rrezikun për t’u sëmurë rëndë dhe të përshpejtojnë rikuperimin.
Mjekët kalojnë ditët duke këshilluar pacientët se si të shërohen – duke pirë më shumë lëngje dhe duke pushuar – por çfarë bëjnë ata vetë kur përballen me ftohje, grip apo viroza stomaku?
Teksa autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje personave me simptoma gripi, si temperaturë, lodhje ekstreme dhe dhimbje trupi, të qëndrojnë në shtëpi, Dr. Donnai ka zbuluar zakonet që ndjek sapo ndjen shenjat e para të një virusi.
Ajo thotë se, kur sëmuret, përqendrohet te hidratimi i mirë dhe te ushqimi i thjeshtë, i gatuar në shtëpi, që mbështet sistemin imunitar.
Sapo ajo vetë, ose dikush pranë saj, fillon të ndihet keq, përgatit supën e pulës sipas recetës së nënës së saj – dhe jo vetëm për arsye sentimentale.
Edhe pse supa e pulës shpesh shihet si një “mit popullor”, studimet tregojnë se ajo mund të ketë përfitime reale. Një rishikim i fundit shkencor zbuloi se supat me bazë pule, të përgatitura me perime dhe barishte, sillnin përmirësime të moderuara në simptomat e infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes, përfshirë ftohjet.
Studiuesit vlerësojnë se këto përfitime vijnë nga kombinimi i hidratimit, ngrohtësisë, vlerave ushqyese dhe efekteve të lehta anti-inflamatore.
Dr. Donnai shpjegon se lëngu i ngrohtë siguron ujë dhe elektrolite në një kohë kur oreksi zakonisht është i ulët, duke ndihmuar në parandalimin e dehidratimit. Nxehtësia gjithashtu lehtëson bllokimin e hundëve dhe qetëson dhimbjen e fytit.
Ajo preferon të përdorë përbërës organikë kur është e sëmurë, pasi kjo ul ekspozimin ndaj pesticideve dhe ndotësve, në një moment kur sistemi imunitar është tashmë i ngarkuar.
Sipas saj, toksiciteti shtesë nxit inflamacionin, gjë që nuk i shërben shërimit. Për këtë arsye, ajo zgjedh prodhime organike, veçanërisht gjatë sëmundjes.
Pula organike ofron proteina lehtësisht të tretshme dhe aminoacide si cisteina, ndërsa lëngu i përgatitur tradicionalisht – me kocka, kërc dhe inde lidhëse – përmban xhelatinë, glicinë dhe prolinë.
Edhe pse shumica e provave vijnë nga biokimia dhe jo nga studime të mëdha klinike, dihet se cisteina mbështet proceset detoksifikuese të mëlçisë dhe ndihmon në shpërbërjen e acetaldehidit, një përbërës i lidhur me dhimbjet e kokës dhe të përzierat. Dr. Donnai thekson se cisteina është kimikisht e ngjashme me acetilcisteinën, e përdorur në mjekësi për hollimin e mukusit dhe mbështetjen e funksionit imunitar.
Nga ana tjetër, glicina ka efekte të njohura anti-inflamatore dhe besohet se qetëson reagimin “lufto ose ik” të trupit, i cili shpesh intensifikohet gjatë infeksioneve. Kjo, sipas saj, mund të shpjegojë pse lëngu i pulës ndihet kaq qetësues gjatë sëmundjes: ai jo vetëm ul stresin, por edhe ndihmon gjumin rigjenerues – një faktor kyç për rikuperimin imunitar.
Receta e saj zakonisht përfshin karota, qepë, hudhër dhe selino, përbërës që ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Karotat janë të pasura me beta-karoten, i cili, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, mbështet imunitetin dhe lufton stresin oksidativ. Hudhra, nga ana tjetër, është treguar se ka aktivitet kundër baktereve, viruseve, kërpudhave dhe parazitëve.
Por për Dr. Donnai-n, përfitimi i supës shkon përtej përbërësve individualë. Ajo thekson se supa është e butë për sistemin tretës dhe kërkon pak energji metabolike, duke i lejuar trupit të përqendrojë energjinë te mbrojtja imunitare dhe shërimi, në vend të tretjes.
Ajo shton se gjumi është po aq i rëndësishëm, pasi i jep trupit kohën dhe kushtet për t’u riparuar dhe për të forcuar përgjigjen imunitare gjatë infeksioneve.
Këto këshilla vijnë në një kohë kur rastet e gripit po rriten ndjeshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Të dhënat e NHS tregojnë se javën e kaluar mbi 3,100 shtretër spitalorë ishin të zënë çdo ditë nga pacientë me grip, ndërsa 128 persona ndodheshin në terapi intensive – një rritje e ndjeshme krahasuar me javën paraardhëse.
Dr. Suzanna McDonald, drejtuese kombëtare e programit të gripit në Agjencinë Britanike të Sigurisë Shëndetësore, theksoi se masa më e rëndësishme për të kufizuar përhapjen e infeksionit është qëndrimi në shtëpi kur je i sëmurë, veçanërisht për të mbrojtur personat vulnerabël.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të përsëritura personave që kanë të drejtë të vaksinohen kundër gripit, duke theksuar se vaksina mbetet mënyra më efektive për të ulur rrezikun e sëmundjes së rëndë.
Ndërkohë, profesori Paul Hunter, virolog në Universitetin e Anglisë Lindore, tha se ende nuk është e qartë se sa i lartë do të jetë kulmi i gripit këtë dimër. Sipas tij, është e mundur që kulmi të arrihet këto javë, por nuk përjashtohet që rastet të vazhdojnë të rriten, me një valë shumë të fortë drejt fundit të janarit.