Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës M.R. shtetase e Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me njerëz.
Në një njoftim për media thuhet që e pandehura dyshohet se më 6 janar në fshatin Jezercë për përftime pasurore ka shfrytëzuar për prostitucion një të mitur.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, ka vërtetuar faktin se e pandehura dyshohet se më 6 janar 2021, në fshatin Jezercë, përkatësisht në disa villa të këtij fshati, pas zbatimit të masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit – përgjimit të telekomunikimeve për të pandehurën, janë siguruar të dhëna të rëndësishme, se me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror për vete, ka marr pjesë në trafikimin e njerëzve përmes rekrutimit, transportimit, strehimit të viktimës, së një të miture, në atë mënyrë që të njëjtën e ka shfrytëzuar me qëllim të prostitucionit, ku pasi ka arritur marrëveshje me personin N.M. pronar i një kafiterie, në të cilën kafiteri ka punuar një kohë edhe e pandehura me të dëmtuarën, ku ka keqpërdorë në vazhdimësi pozitën e ndjeshme të viktimës të miturës, pas arritjes së kësaj marrëveshje N.M. ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën e mitur me pagesë, duke i paguar të pandehurës vlerën prej 40 € për këtë marrëdhënie seksuale, e po ashtu të njëjtën e ka mbajtur nën kontroll dhe duke e shfrytëzuar për qëllime seksuale, duke siguruar persona të ndryshëm që të kryejnë marrëdhënie seksuale me të , në këmbim të parave , e të cilat para më pas i merr për vete”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, dhe ende nuk është dëgjuar para prokurorit të shtetit e dëmtuara- e mitura, por nuk janë dëgjuar as edhe dëshmitarët tjerë të mundshëm, të cilët janë përmendur edhe nga e pandehura dhe e dëmtuara. Gjithashtu nuk është dëgjuar para prokurorit të shtetit as e pandehura, andaj mbi këto arsye gjykata vlerëson se po të gjendet në liri mund të ndikoj tek të njëjtit në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, andaj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë veçanërisht në të dëmtuarën e mitur. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftim.