Një muaj paraburgim ndaj një të dyshuari për blerje dhe shitje të drogës

Prishtinë | 09 Tet 2024 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit E.LL.  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se i pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 07 tetor 2024 dhe do të zgjasë deri më 06 nëntor 2024.

“Sipas kërkesës, ‘Më datën 07.10.2024 rreth orës 15:00 në Gjakovë rr. ‘Ç.’, nga bastisja dhe kontrolli brenda në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një (1) qese plastike me substancë narkotike në formë bari në peshë prej 0.9 gr, njëzet e shtatë (27) qese plastike me substancë narkotike në formë bari në peshë prej 34 gram, shtatëdhjetë (70) qese plastike me substancë narkotike në formë bari në peshë prej 100 gram, një (1) qese plastike me substancë narkotike në peshë prej 534 gram të gjitha të dyshuara për narkotik të llojit marihuanë, në peshë të përgjithshme prej 668.9 gram, si dhe të holla në vlerë prej 500 euro, një telefon dhe një peshore digjitale, të gjitha të sekuestruar në vendin e ngjarjes, respektivisht në shtëpinë e të pandehurit nga hetuesit policor”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme