Një muaj paraburgim është vendosur ndaj pesë personave, katër prej të cilëve janë të mitur, për shkak se 17 shkurt në Prizren përball objektit të Konsullit Turk e kishin marrë flamurin e Turqisë të cilin e kishin hedhur në Lumbardh.
Në njoftimin e policisë thuhet se ata kanë nxitur urrejtje dhe përçarje mbi baza etnike duke e përbuzur simbolet kombëtare të komunitetit turk.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, gjyqtarja e procedurës – Kymete Kicaj, ka caktuar masën e paraqitjes në stacion Policor në kohëzgjatje 30 ditë, e cila do të llogaritet prej datës 19.02.2022, dhe mund të zgjasë deri më datën 19.03.2022, ndaj të miturve V.Q., A.B., L.B., dhe M.N,., për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 par. 3.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Kurse, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit F.Q., në kohëzgjatje 30 ditë, e cila do të llogaritet prej datës 18.02.2022, dhe mund të zgjasë deri më datën 18.03.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me katër të miturit ka kryer veprën penale nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.