Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Korab Gashit, i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Suharekë, vitin e kaluar.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë, ku thuhet se masa e paraburgimit u caktua nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të dyshuarit do t’i llogaritet paraburgimi nga koha e arrestimit (1 korrik 2024) dhe mund të zgjasë deri më 1 gusht 2024.
Gashi dyshohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, thuhet se ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase.
“Më datë 22 nëntor 2023, në qytetin e Suharekës, në rrugën “Brigada 123”, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A:B:, , me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të pandehurit B.B., B:I., K.G., D.G., dhe L.C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se pronarin e lokalit e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit, duke demoluar dollapat dhe xhamat.
“..ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, dhe që nga ajo kohë i njëjti ka qenë në arrati”, thuhet në njoftim.
Më tej, thuhet se Gashi me datë 16 nëntor 2023, me dashje ndihmon kryerësit e veprës penale “Grabitje”, e cila ka ndodhur në Suharekë në argjendarin “Diakos”.
“… i pandehuri K.G., fillimisht merr me qira automjetin e markës Shkoda Fabia, ngjyrë e verdhë, ku pas marrjes me qera të automjetit, i njëjti me këtë automjet shkon në Komunën e Deçanit dhe bën blerjen e automjetit Chevrolet, me qëllim që të pandehurit të njëjtin automjet ta përdorin në kryerjen e Grabitjes në argjendarin “Diakos” në Komunën e Suharekës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kurse, a do të argumentohen këto fakte thuhet sr do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit e arrestuar, të dëmtuarit, dhe dëshmitarët eventual. Andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston i posaçëm se i njëjti do të pengojë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit”, njofton Gjykata.
Po ashtu, thuhrt se duke marrë parasysh faktin se i dyshuari që nga koha kur dyshohet të jenë kryer veprat penale, ka qenë në arrati deri në ditën e arrestimin më 1 korrik 2024, të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit me qëllim të sigurimit të prezencës së tij gjatë fazës hetimore të mëtutjeshme.
“Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme, këto veprime të të pandehurit tregojnë këmbëngulësin e tij në kryerjen e veprës penale, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurit në liri i njëjti mund të përsëris veprën penale”, thuhet në vazhdim.
Andaj, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Ndryshe, pas grabitjes në argjendari, Policia e kishte shpallur në kërkim Gashin, i cili ishte në arrati deri më 1 korrik.
Ndryshe, nën masën e paraburgimit vazhdojnë të jenë katër të dyshuarit Bujar Basha, Besart Istrefi, Leutrim Cakolli dhe Trim Baraku për grabitjen e argjendarisë në Suharekë.
kishte publikuar pamjet nga momenti i grabitjes, ku ishin shkrepur edhe armët nga të dyshuarit dhe policia gjatë grabitjes që po ndodhte në qendër të qytetit të Suharekës.